Koreja e Veriut ka njoftuar se në 48 orët e fundit ka testuar një dron të ri nënujor të aftë për t’u përdorur për një sulm bërthamor. Kjo vjen si përgjigje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, njoftoi sot agjencia e lajmeve koreano-veriore KCNA.
Forcat e armatosura të Koresë së Veriut vendosën nga e marta deri të enjten sistemin e ri të armëve në brigjet e Hamgyong-ut Jugor. Sipas KCNA, sistemi i veçantë i armëve ka aftësinë të shkaktojë një “cunam radioaktiv në shkallë të gjerë” me një shpërthim nënujor dhe të shkatërrojë anijet dhe portet e armikut. “Droni nënujor mund të vendoset në çdo bregdet apo port dhe të tërhiqet nga një anije”, sipas KCNA.
Koreja e Veriut lëshoi raketa me rreze të gjatë veprimi në brigjet e saj lindore të mërkurën, tha ushtria e Koresë së Jugut pak para përfundimit të stërvitjeve ushtarake të Mburojës së Lirisë.
Pheniani ka dalë kundër stërvitjeve të drejtuara nga forcat koreano-jugore dhe amerikane, duke pretenduar se ato janë prova për një pushtim të territorit të Koresë së Veriut.
Testimi i sistemit të ri të armëve u bë rreth një javë pas lëshimit të raketës më të fuqishme të Koresë së Veriut, Hwasong-17. Ishte testi i dytë i raketës balistike ndërkontinentale (ICBM) i Koresë së Veriut që nga fillimi i vitit 2023. /abcnews.al