Koreja e Veriut mendohet që të ketë lëshuar raketën më të madhe që nga viti 2017. Koreja e Jugut raportoi se lëshimi u zhvillua në orën 07:52 me orën lokale të së dielës në brigjet lindore të Koresë së Veriut. Japonia, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja e kanë dënuar lëshimin që është testi i shtatë për këtë muaj.
OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe ka vendosur sanksione të rrepta. Por shteti i Azisë Lindore kundërshton rregullisht ndalimin dhe udhëheqësi Kim Jong-un është zotuar të forcojë mbrojtjen e vendit të tij raporton “BBC”. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut tha se testi i së dielës ishte një raketë balistike me rreze të mesme, e cila do të ishte raketa më e madhe e testuar që nga nëntori 2017.
Zyrtarët japonezë dhe koreano-jugorë vlerësuan se raketa arriti një lartësi prej 2000 km dhe fluturoi për 30 minuta në një distancë prej 800 km. Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Koresë së Veriut që të “përmbahet nga aktet e mëtejshme destabilizuese”, në një deklaratë të lëshuar nga Komanda Indo-Paqësorit e ushtrisë amerikane. Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in tha se stuhia e testeve raketore të janarit të kujtonte tensionet e rritura në vitin 2017, kur Koreja e Veriut kreu disa teste bërthamore dhe lëshoi raketat e saj më të mëdha, duke përfshirë disa që fluturuan mbi Japoni.
Në fillim të këtij muaji, Koreja e Veriut pretendoi se kishte kryer një test të tretë të një rakete hipersonike, e cila është më e vështirë për t’u gjurmuar sesa raketat balistike. Në një fjalim para Vitit të Ri, Kim bëri thirrje që ushtria të forcohet me teknologjinë më të avancuar. Që atëherë, disa lloje të ndryshme armësh thuhet se janë testuar duke përdorur një sërë vendesh lëshimi.
SHBA vendosi më shumë sanksione ndaj Koresë së Veriut në fillim të janarit, në përgjigje të lëshimeve të mëparshme të raketave. Bisedimet mes dy vendeve kanë ngecur që kur presidenti amerikan Joe Biden mori detyrën. / abcnews.al