Koreja e Veriut ka thënë të hënën se kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, ka shprehur dëshirën për t’u takuar me liderin verikorean, Kim Jong Un, “sa më shpejt”, por theksoi se takimi i parë mes këtyre dy vendeve në 20 vjetët e fundit do të varet nga vendimet politike të Tokios në praktikë.
Motra e Kimit dhe zyrtarja e lartë verikoreane, Kim Yo Jong, tha në një komunikatë se Kishida e ka përdorur një kanal të paspecifikuar së fundmi për të treguar se ai dëshiron të takohet ballë për ballë me Kim Jong Un-in “sa më shpejt”.
Ajo tha se nuk do të ketë përparim në marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Japonisë përderisa Qeveria e Kishidës përfshihet në çështjen e rrëmbimit dhe përzihet në “ushtrimin e së drejtës sonë sovrane”, duke iu referuar testimeve të arme bërthamore nga Veriu.
“Historia e marrëdhënieve mes DPRK-së dhe Japonisë na mëson se është e pamundur t’i përmirësosh marrëdhënieve dypalëshe, kur ka keqkuptime dhe mosbesim të plotë, vetëm me një ide për ta caktuar një samit”, tha Kim Yo Jong, duke e përdorur shkurtesën e emrit zyrtar të Veriut, Republika Demokratike Popullore e Koresë.
Koreja e Veriut dhe Japonia nuk kanë marrëdhënie diplomatike, dhe marrëdhëniet e tyre janë lënë nën hije nga programi bërthamor i Veriut, çështja e rrëmbimit dhe kolonizimi i Gadishullit Korean nga Japonia më 1910-1945.