Koreja e Veriut akuzon SHBA: Kanë qëllime dashakeqe

schedule23:59 - 29 Maj, 2019

schedule 23:59 - 29 Maj, 2019

Mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut është rritur klima e mosbesimit. Peniani zyrtar ka akuzuar Uashingtonin se pavarësisht thirrjeve për dialog synon të aplikojë opsionin ushtarak me qëllim pushtimin e Koresë së Veriut.

Peniani zyrtar ka akuzuar të mërkurën Shtetet e Bashkuara se nuk po tregojnë mirëbesim në negociatat dypalëshe dhe se po kryejnë teste bërthamore dhe stërvitje ushtarake me qëllimin dashakeq për të pushtuar Korenë e Veriut me anë të forcës.

Në reagimin e radhës, Ministria e Jashtme koreano-veriore është ankuar për fushatën e vazhdueshme të sanksioneve amerikane, në kuadër të të cilave së fundmi Shtetet e Bashkuara sekuestruan anijen më të madhe tregtare të vendit aziatik.

“Përdorimi i forcës nuk është aspak monopol i Shteteve të Bashkuara”, ka paralajmëruar qeveria koreano-veriore. Në deklaratë saktësohet se Shtetet e Bashkuara kanë kryer teste bërthamore më 13 Shkurt, pak ditë para samitit të dytë mes presidentit Donald Trump dhe liderit Kim Jong Un.

“Uashingtoni ka treguar kështu qëllimin e tij se kërkon një zgjidhje të bazuar tek forca, edhe pse publikisht mbështet dialogun”, vijon deklarata.

Në të përsëriten sulmet ndaj këshilltarit të Trump për sigurinë, John Bolton dhe ndaj sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, të cilët akuzohen se kanë fyer dinjitetin e liderit suprem të Koresë së Veriut dhe kanë përdorur fjalor të papërshtatshëm, duke e cilësuar vendin një “regjim kriminal”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!