Koreja e Jugut tha të hënën se synon ta lëshojë satelitin e parë spiun të ndërtuar nga dora e vet në fund të këtij muaji, në mënyrë që ta vëzhgojë më mirë Korenë e Veriut, e cila po e rrit arsenalin e armëve bërthamore.
Vetëm pak ditë më parë, Koreja e Veriut dështoi në zotimin e saj për të tentuar për herë të tretë ta lëshojë satelitin gjurmues në tetor, me gjasë për shkak të telasheve teknike, shkruan REL.
Jeon Ha Gyu, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut, tha të hënën se sateliti i parë spiun i ushtrisë së vendit do të lëshohet nga Baza e Forcave Ajrore të Kalifornisë, Vadenberg, më 30 nëntor.
Sateliti do të bartet nga raketa Falcon 9 e kompanisë SpaceX. Në kontratën e saj me SpaceX, Koreja e Jugut planifikon t’i lëshojë edhe katër satelitë spiunë deri në vitin 2025, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut.
Koreja e Jugut nuk ka satelitë të vet spiunë dhe varet nga satelitet spiunë të Shteteve të Bashkuara për t’i vëzhguar lëvizjet e Koresë së Veriut.
Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut tha para ligjvënësve se Koreja e Veriut me gjasë po merr mbështetje teknologjike nga Rusia për programin e vet të lëshimit të sateliteve spiunë.