Koreja e Jugut ka sekuestruar një anije të Kinës që kishte furnizuar Korenë e Veriut me naftë duke shkelur sanksionet e OKB-së. Kjo konfirmon edhe njëherë se Pekini mbështet regjimin e Kim Jong-un në vend të komunitetit ndërkombëtar.
Korea e Jugut ka zbuluar se ka sekuestruar një anije të regjistruar në Hong Kong muajin e kaluar, e cila dyshohet se do të furnizonte me naftë regjimin e Penianit, duke shkelur sanksionet ndërkombëtare. Zyrtarët thanë se “Lighthouse Winmore” kishte transferuar fshehurazi 600 ton naftë të rafinuar në një anije të Koresë së Veriut. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndalon transferimin mes anijeve të çdo malli të destinuar për Penianin.
Këto zbulime vijnë pasi Kina mohoi pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump se Pekini ka lejuar dërgimin e naftës në Korenë komuniste. Anija hyri në portin Yeosu në Korenë e Jugut më 11 tetor për t’u ngarkuar me naftë të rafinuar dhe u nis për në Tajvan katër ditë më vonë, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap. “Por në vend që të shkojë në Tajvan, mjeti lundrues transferoi naftën në një anije të Koresë së Veriut dhe tre anije të tjera në ujërat ndërkombëtare më 19 tetor”, thanë zyrtarët e Koresë së Jugut.
Kjo shkel një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar më 11 shtator. Neë York Times tha se transferimi u kap në fotografitë satelitore të SHBA, të publikuara nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në nëntor, ndonëse nuk u zbulua se emri I anijes ishte “Lighthouse Ëinmore”. Seuli njofton se mjeti lundrues, që u sekuestrua pas kthimit në portin Yeosu në nëntor, do të mbetet në Korenë e Jugut.
Ndërkohë, që nga tetori janë verifikuar nga satelitët amerikanë rreth 30 transferime karburanti në mënyrë të paligjshme nga anije kryesisht që vinin nga Kina. Duke qenë aleati I vetëm I Koresë së Veriut, Pekini duket se po mundohet ta ndihmojë regjimin e Kim Jong-un. Por këtë e bën duke shkelur sanksionet e vendosura nga OKB lidhur me testimet raketore dhe zhvillimin e programit bërthamor./abcnews.al
Gazetar i ABC News: Xhevahir Qardaku