Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Koreania që gjeti Shqipërinë si shtëpi: Erdha për luftën, mbeta për dashurinë

schedule11:14 - 10 Mars, 2026

schedule 11:14 - 10 Mars, 2026

Në studion e ABC së Mëngjesit ishte e ftuar Migena – Mikyung Park, farmacistja nga Koreja e Jugut që prej më shumë se dy dekadash e quan Shqipërinë shtëpinë e saj. Historia e saj nis në vitin 1999, në një nga periudhat më të dhimbshme për shqiptarët luftën në Kosovë. Ajo erdhi si pjesë e një misioni humanitar për të ndihmuar refugjatët kosovarë të larguar nga vendi i tyre dhe për të dhënë ndihmë mjekësore për të plagosurit.

Si farmaciste, Mikyung Park u përball nga afër me dramën e luftës. Ajo kujton njerëz të plagosur, familje të shkatërruara dhe skena që i kanë mbetur thellë në kujtesë. Një prej tyre është imazhi i një gruaje të re që ecte në rrugë me lot në sy pasi kishte humbur bashkëshortin. Ishte një kohë e dhimbshme, por edhe një periudhë ku solidariteti dhe humanizmi mes njerëzve ishte i jashtëzakonshëm.

Kjo përvojë e bëri që lidhja e saj me Shqipërinë të bëhej gjithnjë e më e fortë. Ajo vendosi të qëndrojë këtu, duke krijuar marrëdhënie të ngushta me njerëzit dhe traditat e vendit. Madje vite më vonë ajo takoi në Kukës një familje të cilën e kishte ndihmuar gjatë kohës së luftës.



Sot Mikyung Park jeton në Shqipëri me qira dhe punon në një shoqatë të krishterë, ku merret me edukimin dhe aktivitetet për fëmijët. Profesioni i saj si farmaciste e ka afruar edhe më shumë me njerëzit dhe sidomos me të vegjlit, të cilëve përpiqet t’u përcjellë shpresë, besim dhe kurajë për jetën.

Edhe pse familjen e ka në Kore, motrën dhe vëllain, ajo e viziton vendin e saj çdo vit. Motra e saj ka qenë një herë në Shqipëri, në vitin 2017. Megjithatë, për Mikyung, Shqipëria mbetet vendi ku ka ndërtuar jetën e saj.

Ajo thotë se shqiptarët janë shumë mikpritës, ndërsa moti, qielli dhe ushqimi janë ndër gjërat që e kanë bërë të dashurohet me këtë vend.

Fillimet nuk kanë qenë të lehta. Gjuha dhe zakonet ishin sfida të mëdha, por me kalimin e kohës ajo u përshtat dhe sot ndihet pjesë e këtij vendi. Sipas saj, respekti për të moshuarit është një vlerë që e bashkon shumë kulturën shqiptare me atë koreane.

Megjithëse një mik shumë të afërt shqiptar ende nuk e ka gjetur, ajo beson se ndoshta kjo do të ndodhë një ditë. Ndërkohë, një gjë mbetet sekret: mosha e saj, të cilën preferon ta mbajë të fshehtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!