Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe strukturat e hetimit në DVP Korçë kanë finalizuar një operacion në bashkëpunim me Komisariatin e Gramshit dhe Komisariatin nr. 5 të Tiranës. Operacioni filloi që prej fshatit Kapshticë të Devollit dhe përfundoi në qytetin e Gramshit. Sipas informacioneve, forcat e policisë kanë konstatuar dy mjete tip Audi Q7 në afërsi të fshatit Kapshticë, të cilët dyshohet se kishin marrë një grup me emigrantë të paligjshëm.
Forca të shumta janë vënë në ndjekje të dy mjeteve, pasi drejtuesit nuk i janë bindur urdhrit të ndalimit. Drejtuesit e mjeteve kanë lënë afër Lozhanit rreth 15 emigrantë të paligjshëm dhe janë larguar drejt Gramshit.
Aty janë përballur me postbllokun, duke përplasur dy prej patrullave dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Pas përplasjes, ata kanë vijuar rrugën, ndërsa dy mjetet Audi Q7 janë gjetur të braktisur në dy fshatra të Gramshit.
Policia ka identifikuar dy drejtuesit e mjeteve dhe i ka shpallur në kërkim, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë edhe një person të tretë. Sa i përket 15 emigrantëve, ata u gjetën të fshehur në një përrua në afërsi të fshatit Lozhan të Maliqit, ndërsa janë sekuestruar dy mjetet që përdoreshin për transportin e tyre drejt Tiranës. Nga policia vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

