Për mungesë provash, policia e Korçës ka liruar të arrestuarit për vjedhjen e Katedrales. Ndërkohë prokuroria ka nxjerrë pesë urdhër arrestie të tjera.
Janë lënë të lirë autorët e dyshuar të vjedhjes së Katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Burime nga Komisariati i Korçës,konfirmojnë se janë liruar, për mungesë provash Joni Cigare dhe Genci Arifi. Arrestimi i tyre erdhi pak orë pas reagimit të klerikëve ortodoksë, por policia e Korçës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për autorësinë e vjedhjes dhe dhunimit të Katedrales nga këta persona.
Pas lirimit të dy të dyshuarve, prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër arresti për 5 persona të tjerë, dy prej të cilëve, vëllezër me precedente kriminale, për të cilët do të pritet seanca për caktimin e masës së sigurisë, për të parë nëse provat e grumbulluara nga policia, krijojnë dyshim të arsyeshëm për autorësinë e vjedhjes së objektit të kultit.
Grabitja e Katedrales në qendër të qytetit të Korçës, mbrëmjen e 2 shtatorit, solli reagimin e Mitropolisë së Shenjtë, klerikët e së cilës, e vlerësuan të pamjaftueshme punën e policisë, e cila nuk ka shkuar tek autorët e asnjë objekti kulti të denoncuar si të vjedhur./abcnews.al