Korçë/ Largimet e prokurorëve, zvarriten afatet për dosjet në hetim

schedule15:18 - 25 Shtator, 2018

schedule 15:18 - 25 Shtator, 2018

Largimi i njerëzve të drejtësisë përmes Vetingut po shkakton problemet e para për dosjet që janë në hetim dhe gjykim. Në Korçë pas shkarkimit të prokurorit Elsion Sadikaj, dosja e Enea Ftoit ka gjasa se do të kërkojë zgjatje të afateve për mbylljen e hetimit deri të dërgimi në gjykatë.

Daniela Zisi, gazetare e ABC News, Korçë: Procesi i Vetingut nuk po sjell pasoja vetëm për karrierën e njerëzve të drejtësisë, por po ndikon edhe ecurinë e proceseve hetimore, që kanë pasur në duar, të larguarit nga sistemi.
Pas shkarkimit të prokurorit të Korçës Elsion Sadikaj, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të gjitha dosjet, që hetoheshin prej tij, u janë shpërndarë me short, prokurorëve të tjerë. Kjo do të shtyjë në kohë, përfundimin e hetimeve të dhjetra çështjeve, midis të cilave, edhe dosja e vdekjes së 27 vjeçarit Enea Ftoi në ambjentet e Komisariatit të Korçës.

Hetimet për vdekjen e të riut Enea Ftoi, për të cilën familjarët bënë përgjegjës efektivë të Komisariatit të Korçës, ishin drejt fundit, por prokurori i çështjes Elsjon Sadikaj, nuk e kaloi dot sitën e Vetingut dhe mbeti jashtë sistemit. Dosja e Enea Ftoit, pas hedhjes së shortit për çështjet e prokurorit të shkarkuar, tashmë do të jetë në duart e prokurores Oli Visi, një ndër prokuroret me eksperiencë të gjatë në institucionin e akuzës. Prokurores tjetër, do ti duhet kohë për tu njohur me faktet dhe provat e mbledhura deri tani, çfarë do të pasohet nga një tjetër zgjatje e afatit të hetimit.

Fundi i shtatorit, është koha, kur përfundon zgjatja e afatit e kërkuar në korrik nga Sadikaj, por që me gjasa, finalizimi i hetimeve dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, do të kërkojë edhe një tjetër zgjatje të afateve, pohuan për Abc News, burime te Prokurorisë së Korçës.
Për vdekjen e Enea Ftoit në muajin prill, prokuroria ka vënë nën akuzën e mosdhënies së ndihmës, të paktën tre efektivë të Komisariatit të Korçës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!