“Kopshtarët” shqiptarë përfundojnë në burg

schedule11:14 - 2 Mars, 2019

schedule 11:14 - 2 Mars, 2019

Dy shqiptarë janë dënuar nga gjykata britanike pasi u akuzuan për prodhim narkotikësh. Sokol Sakuta dhe Klodian Lezaj punonin si kopshtarë në dy fabrika kanabisi në Peterborough. Ata u arrestuan pas një aksioni masiv të policisë, ku nuk mungoi dhe përdorimi i një helikopteri.

Lezaj, 27 vjeç, fillimisht tentoi t’i shpëtojë prangave dhe u mundua të arratisej nga një shtëpi në Swanspool të Peterborough. Ndërkohë Sokol Sakuta, 23 vjeç, u arrestua në një shtëpi tjetër në Drayton.

Të dy dolën para Gjykatës së Kurorës së Peterborough dhe pranuan se ishin marrë me prodhim të kanabisit. Klodian Lezaj u dënua me 8 muaj burg, ndërsa Sokol Sakuta me 20 muaj. Të dy shqiptarët qëndronin ilegalisht në Britaninë e Madhe, kështu që në përfundim të dënimeve të tyre ata do të depërtohen. Në gjykatë u tha se dy shqiptarët nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin.

Prokurori i çështjes, James Earle, tha se në pronën në Swanspool ku punonte Lezaj u gjetën në total 61 rrënjë kanabis. Vlera e drogës shkonte rreth 17.000 deri në 51.000 Paund. Sipas tij, 27-vjeçari kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar i fshehur prapa një kamioni.

Pasi punoi për një farë kohe në Londër ai shkoi në Peterborough. Lezaj ishte takuar me një shqiptar dhe një pakistanez në një stacion metroje. Ata i ofruan atij punën në fabrikën e kanabisit, ku mund të qëndronte në një dhomë falas dhe do t’i jepej çdo javë 50 Paund për ushqime në mënyrë që të kujdesej për bimët. Gjithashtu atij i ishin premtuar më shumë para pasi të shitej sasia e lëndës narkotike.

Ndërkohë në fabrikën tjetër të kanabisit në Drayton u gjend më shumë drogë. Në total aty u sekuestruan 113 rrënjë të ndara në dy dhoma, së bashku me një çantë të mbushur me kanabis në kuzhinë. Vlera e bimëve kur të bëhej gati për treg shkonte nga 31.000 deri në 95.000 Paund. Ndërkohë vlera e drogës në çantë kapte shifrën e 50.000 Paund.

Për këtë lëndë narkotike punonte Sakuta, i cili kishte shkuar në Britani më përpara Lezajt. Fillimisht ai u mundua të gënjente autoritetet duke dhënë emrin dhe datën e lindjes gabim, por në shtëpi iu gjet edhe karta e identitetit shqiptare. Avokati mbrojtës i dy shqiptarëve, John Farmer tha se shqiptarët ishin detyruar të punonin aty prej situatës së vështirë në të cilën ndodheshin.

Ai shtoi se klientët e tij pranuan fajin dhe asnjëri prej tyre nuk ishte i dënuar më parë. Ndërkohë gjykata vendosi që droga e gjetur të shkatërrohej. Aksioni i policisë u krye në një ditë dhe u shkatërruan disa fabrika që prodhonin kanabis. Gjatë këtij operacioni u arrestuan 5 shqiptarë të moshës 19, 22, 23, 27 dhe 49 vjeç pjesë e të cilëve ishin dhe Sokol Sakuta dhe Klodian Lezaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!