Bashkia e Tiranës ka nisur punën për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në zonat rurale. Nga kopshti i ri i Vaqarrit kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se fokusi i punës së tij këtë mandat të dytë do të jetë tek ofrimi i shërbimeve dhe në fshat.
Si në qytet dhe në fshat. Kryebashkiaku i Tiranes Erion Veliaj premtoi cilësi të njëjtë shërbimesh, pasi inspektoi punimet e kryera në një kopesht në Vaqarr.
“Mund të jemi në Bllok, mund të jemi diku në një nga lagjet më të mira të Tiranës, te Bregu i Lumit, ku prapë kemi kopshte shumë të mira, apo në Kodër-Kamëz, ku po mbaron kopshti i ri, por në fakt jemi në Vaqarr, çka sinjalizon një fillim të ri të punës për kopshte dhe çerdhe në zonat rurale.”
Ish shkolla e vjetër e zonës është rikonceptuar në mënyrë të përshtatshme për të mikpritur fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç.
“Fakti që 50-60 fëmijë janë këtu, do të thotë se 50-60 fëmijë janë më pak në turnet e dyta në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Kombinatit. Ndaj, e gjithë dëshira jonë është që këtë mandat të dytë të fokusojmë më shumë shërbimin në fshat. Duhet të shkojnë shërbimet aty ku janë njerëzit, kështu që ulim dyndjen dhe turnet e dyta në qytet”.
Transformimit i kopshteve dhe të çerdheve publike theksoi kryebashkiaku Veliaj ka bërë që ky vit të shënojë dhe numrin më të madhe të kërkesave për regjistrim. /ABc news Albania 24/7