Kontrolli ndaj çamëve

schedule10:34 - 25 Nëntor, 2021

schedule 10:34 - 25 Nëntor, 2021

Nga Kastriot Dervishi

Nën regjimin internacionalist antikombëtar komunist, shqiptarët nga Çamëria së bashku me shqiptarët nga Kosova ishin ndër kategoritë më të prekura dhe më të persekutuara. Nëpër dokumentet e kohës, gjuha ndaj shqiptarëve nga Çamëria është fyese dhe poshtëruese. Më poshtë, një raport i tetorit 1953 në Qarkun e Elbasanit, në të cilin kërkohen masa për implikimin e popullsisë nëpërmjet kombinacioneve të ndryshme.

Raporti:

Elementi çam këtë muaj është munduar që nëpër çamër të tjerë ta paraqesë situatën ndërkombëtare shumë kritike. Po ashtu edhe për ndërrimin e pushtetit tonë, duke mos pas besim te ai ose veten për veten e tyre.

Më aktivë për punë kundërshtare nga masa çame gjatë këtij muaji është treguar çami Mahmut Izeti, i cili kohët e fundit ka ardhur nga Durrësi, i cili ka thënë se “së shpejti do të shpëtojmë, mos u mërzisni, nga fundi i vitit do fillojë lufta e ky pushtet do të përmbyset”.

Çami Duro Jupi duke mos pas besim te pushteti ynë popullor ka thënë se “nëse lufta do të plasi, pushteti popullor do të na vrasë ne më parë e pastaj do luftojë armikun”.

Çami Nevruz Hyseni është shprehur se “komunizmi na prishi fenë, se aeroplanët që lëvizin natën do na sjellin ndonjë gjë të re”. Po ashtu është shprehur kundër organeve të policisë duke i ofenduar si të pazonja.

Për të dalë nga kjo situatë, që çamët në përgjithësi nuk kontrollohen, së shpejti do të marrim masa dhe do të rekrutojmë të tjerë, përveç atyre që kemi, në mënyrë që masa çame të kontrollohet më mirë. Me qenë se çamët për njëri-tjetrin në baza patriotike, në mos hiç, shumë pak japin, neve me anën e policisë do të gjejmë elementë që bëjnë kontrabandë do të të mundohemi të rekrutojmë nga ata me material komprometues ordiner.

Po ashtu, pasi një pjesë e madhe çamësh punojnë nëpër ndërmarrje të ndryshme, edhe në këtë drejtim do të rekrutojmë agjenturë, mbasi deri më sot, agjentura në këtë drejtim ka munguar dhe çamët nuk kanë qenë nën kontrollin tonë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!