Sëmundjet e zemrës mbeten vrasësi kryesor në Shqipëri. Sipas shifrave të raportuara nga INSTAT, më shumë se gjysma e shqiptarëve që humbën jetën përgjatë vitit 2022 kishin si shkak problemet e zemrës dhe ato të qarkullimit të gjakut. Ky grup përbën 54% të totalit të vdekjeve, ose mbi 13 mijë të tilla.
Problemet e qytetarëve shqiptarë me këtë sëmundje konfirmohen nga radhët e gjata në stendën e panairit për shëndetin në sheshin “Skënderbej”.
Të moshuarit kryen falas disa analiza.
“Bëra matje për diabetin dhe tensionin. Për yndyrnat se di kam marrë mjekim. Vitaminat i kisha çik me mungesë. Kam debulese zakonisht”, ka thënë një qytetare.
“Vuaj nga zemra, diabeti dhe pankreasi. Kolesteroli më doli mirë, nuk më doli mire diabeti” ka thënë një tjetër pacient.
Yndyrnat e larta në gjak janë shkaku kryesor i sëmundjeve të zemrës. Në Shqipëri, një në dy persona diagnostikohet me nivel të lartë të yndyrnave. Sipas mjekëve, kontrolli i vazhdueshëm frenon rrezikun për sëmundjet kardiake.
“Gati 50% e njerëzve kanë yndyrna të larta. Ne kemi në fokus të rrisim ndërgjegjësimin sepse na mungon kultura të bëjnë kontrolle. Kolesteroli rreziku kryesor për sëmundjet e zemrës”, ka thënë mjekja Pariola Kalari.
Diabeti është një tjetër faktor rreziku për sëmundjet kardivaskulare.
“Sot ka pasur shumë interes dhe ndër matjet që bëmë ka pasur edhe raste që nuk e kane ditur që kanë diabet. Duhet te ece kontrolli ne menyre paralele se keshtu ul te gjithe rriskun kardiovaskular, goditjet në zemër”, ka thënë ndër të tjera mjekja.
Panairi për shëndetin organizohet për herë të parë nga bashkia e Tiranës. Dhjetëra kompani ofruan shërbime falas për matjen e yndyrnave, vitaminave por edhe shërbime dentare për të ndërgjegjësuar qytetarët që të kryejnë kontrolle tek mjeku./abcnews.al