Në dy javë mbi 50 qytetarë janë gjobitur dhe u është pezulluar patenta nga 6 deri në 12 muaj, pasi janë kapur në rrugët e kryeqytetit duke mbajtur fëmijët nën moshën 12 vjeç të pafiksuar në mjet. Specialisti i menaxhimit të trafikut urban në Policinë Rrugore, Gerhard Baka thotë se ditët e fundit është vënë re një sensibilizim i kësaj kategorie.
“Evidentohen shtimi i rasteve të cilët nuk përdorin mjetet e fiksimit, ose soxhelinot. Të mos mbash një fëmijë në sistemet e fiksimit, nuk është problem vetëm tek pjesa administrative e cila të sanksionin edhe me pezullim të lejes së drejtimit nga 6 deri në 12 muaj, por në radhë të parë është siguria e fëmijës në rast se ti përfshihesh në një ngjarje rrugore. Dhe kjo është keqardhja më e madhe që ne konstatojmë. Për shembull, dje dhe sot ka një reflektimi, nuk kemi raste konstatimi për këtë kategori njerëzish dhe kjo është për t’u vlerësuar.”
Kontrollet kanë vijuar edhe për ata prindër që fëmijët e tyre i mbajnë në motor, edhe pse kanë një tjetër pasagjer në të.
“Konstatojmë një fenomen që drejtuesit e çiklomotorrëve apo motorçikletave nuk përdorin kaskat mbrojtëse. Refuzojnë ndoshta për shkak të temperaturave të larta. Kemi raste konstatimi kur prindërit të shoqëruar nga bashkëshortet apo dikush tjetër madhor, mban fëmijë në motor të pasiguruar dhe duke e futur në mes të një motori që është në përdorim për dy persona, shohim tre persona dhe ky person i tretë është fëmijë dhe i pasiguruar dhe jashtë çdo lloj standarti të lejuar për të qarkulluar në rrugë. Jemi në fashën e masës administrative dhe jemi duke e menduar që edhe kjo të bëhet sanksion me pezullim leje drejtimi.”
Ditët e fundit Policia Rrugore ka nisur të aplikojë gjobat, duke iu pezulluar patenta edhe atyre qytetarëve të cilët hedhin sende nga mjetet në lëvizje. /abcnews.al/