Kontroll masiv në të gjithë territorin për kultivimin e bimëve narkotike

schedule13:54 - 20 Gusht, 2019

schedule 13:54 - 20 Gusht, 2019

1.600 forca policie kanë zbarkuar në terren në gjithë vendin në një aksion kundër kultivimit të kanabisit. Në të gjithë zonat e dyshuara po ushtrohen kontrolle nga ajri dhe nga toka. Deri tani janë zbuluar dy raste kultivimi kanabisi në Krujë dhe Vlorë.

Policia e Shtetit ka nisur një aksion masiv për kontrollin e të gjithë territorit për të parandaluar, evidentuar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike. 1.600 forca policie prej së hënës kanë nisur kontrolle në të gjithë vendin, për goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Policia bën të ditur zyrtarisht se janë zbuluar dy raste, të kultivimit të lëndëve narkotike, një në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis.

Në kontrolle janë angazhuar Drejtoritë Vendore të Policisë, Polica Kufitare, Forcat e Lëvizshme Operacionale, nën drejtimin e grupeve të posaçme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu monitorimi nga ajri po kryhet nga ana e Guardia di Financës, duke bashkëpunuar me grupet e kontrollit nga toka, në mënyrë që të bëhet verifikimi i çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike. Ndërkohë uniformat blu bëjnë me dije se kontrolli nga ajri do të vazhdojë edhe ditët në vazhdim./ABC News Albania 24/7