Pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, u prezantua këtë të hënë hapja e një faze të re për bujqësinë shqiptare, me Kapitujt 11, 12 dhe 13 në qendër të reformave drejt Bashkimit Europian.
Në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030” kryeministri Edi Rama u shpreh se kontrata për bujqësinë është kontrata më e vështirë, e cila sipas tij ka dy anë të medaljes, atë të errët dhe të ndritur.
“Një tjetër takim këtë herë për një takim pune organizuar nga Ministria e Bujqësisë për të folur për planin e veprimit dhe domosdoshmërinë e ndërveprimit që bujqësia shqiptare të përballojë sfidën e tregut europian në kontekstin e Shqipërisë, anëtare e BE. Kjo sfidë ka dy anë, ka anën e saj të errët dhe të ndritur. Ana e errët është ajo që pret cdo kënd që nuk është i përgatitur për atë ditë. Negociatat me BE dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese të lidhura me cfarë shkruajmë në letër, por janë kontratë shtetërore shumë komplekse. Kontrata për bujqësinë është më e vështira, ashtu sic është edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet e kontrollet. Unë besoj shumë te ju dhe te ata që në kushtet të pakrahasueshme me sot, një dekadë më parë ishin te toka dhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush e ka kaluar atë sfidë kam besim se do e kalojë edhe këtë. Ka të bëjë me vullnetin për të bërë sukses. Asokohe bujqësia ishte një sektor i braktisur totalisht. Numri I fermerëve që merrnin mbështetje nga shteti ishte 5600 sot është 67 500, dhe është një mbështetje që peshon në portofolin e fermës.”- u shpreh Rama.

