Uashingtoni ka vendosur të bëhet pjesë e nismës së qeverisë australiane, për ngritjen e një baze ushtarake në jug të Paqësorit. Baza do të ngrihet në ishullin Manus, që ka një pozicion strategjik për mbikëqyrjen e rrugëve tregtare, që në vitet e fundit kanë kaluar nën influencën e Kinës.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të bashkojnë forcat me Australinë për ngritjen e një baze ushtarake në jug të Paqësorit, në përpjekje për t’i bërë ballë influencës në rritje të Kinës. Të dyja vendet disa herë kanë shprehur shqetësimin për ambicjet e Pekinit, që më herët gjatë vitit njoftoi ngritjen e një baze ushtarake të përhershme. Australia dhe Shtetet e Bashkuara synojnë të rikthejnë në jetë bazën e Lombrumit, në ishullin Manus, në Guinean e Re. Dy vendet kanë rënë dakord me shtetin në fjalë për të dërguar disa anije në atë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte bazë e marinës amerikane.
Pala australiane e bëri publik vendimin e saj muajin e kaluar, ndërsa zëvendës presidenti amerikan Majk Pens të shtunën, në kuadër të samitit të APEK. “Synimi ynë është që të bashkojmë forcat me vendet e këtij rajoni për të garantuar sovranitetin e këtyre ishujve dhe rrugë të lira detare”, tha Pens. Megjithatë, numri dy i Shtëpisë së Bardhë nuk dha detaje nëse anijet e marinës amerikane do të vendosen në Manus në mënyrë të përhershme. Lombrum ka një pozicion strategjik për mbikëqyrjen e rrugëve tregtare në jug të Paqësorit dhe ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, Australia ka konfirmuar se anijet e saj do të dërgohen atje për misione afatgjata./abcnews.al