Kontrabandonin ekstazi midis kontejnerëve me vaj ulliri, arrestohen dy persona në Greqi

schedule12:04 - 8 Nëntor, 2024

schedule 12:04 - 8 Nëntor, 2024

Autoritetet greke kundër drogës kanë arrestuar dy grekë të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që eksportonte kristal met dhe MDMA ose ekstazi në Australi, njoftoi policia.

Në një nga konfiskimet më të mëdha të drogës në Greqi, policia sekuestroi rreth 56 kilogramë MDMA dhe pothuajse 30 kilogramë metamfetaminë, e njohur gjithashtu si “akulli” ose “kristal met”, shkruan Reuters.

Droga ishte fshehur në kuti midis kontejnerëve me vaj ulliri dhe ullinj në një magazinë në Athinë. Pas një informacioni, policia greke i ndoqi dy të dyshuarit teksa i transferuan kutitë në një magazinë tjetër në Athinë, duke çuar në arrestimin e tyre të enjten. Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë.

Agjencia Evropiane e Barnave (EUDA) në raportin e saj të këtij viti deklaroi se Evropa është një furnizues i rëndësishëm global i MDMA dhe se ka indikacione se prodhimi i drogës po rritet në kontinent.

Në shkurt, autoritetet australiane gjetën rreth 120 kilogramë MDMA të fshehura në furgona në një anije mallrash që mbërriti nga Evropa.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të EUDA, u sekuestruan më shumë se 1800 kilogramë metamfetaminë, e cila është stimuluesi sintetik më i konsumuar në botë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!