Konsulli grek takon shefen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

schedule16:18 - 1 Nëntor, 2018

schedule 16:18 - 1 Nëntor, 2018

Trupi i pajetë i 35-vjeçarit nga Bularati, Kostandinos Kaçifa gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku iu nënshtrua një ekspertizë të dytë pas kërkesës së familjes së tij. Për këtë ngjarje, konsulli grek i Gjirokastrës është takuar me shefen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Për tërheqjen e trupit të Kaçifas konsulli grek i Gjirokstarës, Vasilis Tolios zhvilloi një takim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai u prit nga kreu i organit të akuzës së Krime të Rënda, Donika Prela, ku temë e diskutimit ndër të tjerat ishte edhe përshpejtimi i hetimeve, ndërsa duhet të saktësohet mënyra e ekzekutimit të 35-vjeçarit, Kacifa, i cili kishte edhe nënshtetësi greke.

Të njëjtën ngjarje po e heton edhe prokuroia  në shtetin fqinj, që është bërë pjesë në këtë çështje me kërkesë të familjarëve të 35-vjeçarit. Ata pretendojnë për njëanshmëri në veprimet e kryera nga policia shqiptare gjatë operacionit në Bularat në Gjirokastrës.

Por Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka dalë në konkluzionin se, forcat Speciale RENEA kanë vepruar konformë rregullores dhe ligjit, përsa i përkët rastit të eleminimit fizik të Kostandinos Kaçifa.

Në këtë përfundim ka dalë edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale, pasi më herët ishin vërejtur pamjet filmike të regjistruar nga kamerat e RENEA-s gjatë operacionit në Bularat të Gjirokastrës.

Sipas dinamikës së zbardhur për ngjarjen, mësohet se viktima ka hapur zjarr me breshëri automatiku ndaj mjeteve të Policisë së Shtetit, por edhe ndaj forcave “Shqiponja” të policisë së Gjirokastrës, të cilat erdhën në ndihmë, përpara se të mbërrinte RENEA nga kryeqyteti. Si provë materiale u sekuestruan, 31 gëzhoja pranë depos së ujit në Bularat si edhe 2 karikatore të zbrazur bashkë me armën automatike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!