Konjari, gjyq në mungesë tek Krimet e Rënda/Avokati: S’di vendndodhjen e tij

schedule15:32 - 30 Janar, 2018

schedule 15:32 - 30 Janar, 2018

Domart Konjarit, një nga personat e dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit pasditen e së hënës në Tiranë, është i pandehur tek Krimet e Rënda. Ai gjykohet në mungesë për vepra penale të kryera në Francë. Avokati i Konjarit tha se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e klientit.

Kjo është seanca gjyqësore e orës 12:00 të së martës tek Krimet e Rënda.

Në këtë kafaz duhet të ishte Domart Konjari, i njëjti që dyshohet të jetë përfshirë në ekzekutimin mafioz të Devi Kasmit. Por gjykimi ndaj 44 vjeçarit të akuzuar për drejtimin e një grupi të trafikut të drogës në Francë zhvillohet në mungesë të tij. Ai i fshihet drejtësisë nga marsi i vitit 2016, kohë kur Apeli i Krimeve të Rënda e liroi nga masa e “arrestit në burg”.

Në seancë prokurori Besnik Muçi i prezantoi gjykatës një listë me 28 dëshmitarë. Për 24 prej tyre, prokurori tha se gjenden në Francë, si të bashkëpandehur të Konjarit në këtë vend, apo të pandehur në procedime penale të lidhura me të. Në seancën e radhës përfaqësuesi i akuzës do ti bëjë me dije gjykatës se si do të procedohet për marrjen e dëshmive, përmes thirrjes së tyre në gjyq, përmes video-konferencës, apo përmes letërporosive.

Në seancat e para të gjyqit tek Krimet e Rënda , Interpol Tirana i komunikoi zyrtarisht gjykatës se nuk kishte informacion për vendodhjen e Konjarit, për të cilin ekziston një masë “arrest në burg” në mungesë. Të njëjtën gjë pretendoi edhe avokati i Konjari.

Domart Konjari u arrestua në janar 2016 në pikëkalimin kufitar të Kapshticës, me dokumente false me identitet të ndryshuar. Ndaj tij rezultonte një urdhër arresti ndërkombëtar i drejtësiëë franceze, ku ishte dënuar me një vendim jopërfundimtare me 10 vjet burg. Ai u la në burg nga Shkalla e Parë e Krimeve, por u lirua nga Apeli.

Lirimi i Konjarit nga qelia mars 2016 shkaktoi përballje mes Prokurorisë dhe Apelit për Krimet e Rënda. Për lirimin e tij reagoi ambasadori francez në Tiranë ndërsa ministri i drejtësisë së kohës bëri një ndjesë publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!