Kancelarja gjermane Angela Merkel hapi punimet e kongresit të partisë të premten për të zgjedhur drejtuesin e ri të CDU, që do të sjellë zëvendësimin e saj pas 16 vitesh në detyrë.
Merkel, 66 vjeç, është parë nga shumë si themel i stabilitetit në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës përmes krizave të shumta, së fundmi pandemia e koronavirusit, ndërsa tha dy vjet më parë se nuk do të kërkojë një mandat të pestë si kancelare.
Gjatë fjalës së saj hapëse të kongresit, që është edhe fjalimi i saj i fundit si kancelare në CDU, Merkel u shpreh se që kur ajo u zgjodh kancelare për herë të parë bota kishte “ndryshuar në mënyrë dramatike”, duke vërejtur rritjen e fuqisë kineze dhe ardhjen e telefonave inteligjentë.
“Për gjithçka që ne mund të jemi krenarë,” tha ajo dhe duke renditur krizat me të cilat përballet Gjermania në të njëjtën kohë, kriza financiare globale, kriza evropiane e borxhit, kriza e refugjatëve.
“Sot ne patjetër që po përjetojmë kalvarin më të vështirë, pandeminë e shekullit, e cila po teston ekonominë tonë dhe po kërkon aq shumë nga shumica e njerëzve,” tha ajo, duke shtuar se CDU po jepte një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e situatës.
“Bota do të vazhdojë të ndryshojë shumë më shpejt”, shtoi kancelarja dhe nënvizoi dixhitalizimin, ndryshimin e klimës dhe problemin demografik si sfidat kryesore të kohës.
Kandidatët për zëvendësimin e Merkel janë: Friedrich Merz, 65-vjeçar që është më konservator se Merkel dhe ka qenë në sektorin privat për rreth një dekadë; Armin Laschet, guvernatori 59-vjeçar i Nordrhein-Westfalen i cili shihet se ka gjasa të vazhdojë qasjen qendrore të Merkel; dhe Norbert Roettgen, 55 vjeç, i cili u shkarkua nga Merkel si ministër i mjedisit dhe e quan veten një kandidat për “qendrën moderne”. g.v/abcnews.al