Kongresi kërkon të dhënat hetimore mbi Trump

schedule22:28 - 26 Mars, 2019

schedule 22:28 - 26 Mars, 2019

Pavarësisht shfajësimit nga akuzat për bashkëpunim me Rusinë, Donald Tramp duket se nuk do t’i kalojë lehtë telashet me drejtësinë. Një komision i Kongresit amerikan ka miratuar një draft që kërkon zbardhjen e materialeve hetimore për akuzën e pengimit të drejtësisë.

Komisioni për çështjet e gjyqësorit në Kongresin amerikan votoi unanimisht të martën një rezolutë që udhëzon Departamentin e Drejtësisë të dorëzojë materialet hetimore për akuzën e pengimit të drejtësisë, që rëndon ndaj presidentit Donald Trump. Sipas mediave amerikane, ligjvënësit kërkojnë materialet e mbledhura nga FBI dhe agjencitë e kundërzbulimit të Shteteve të Bashkuara në adresë të kreut të shtetit.

Pak ditë pasi raporti i Robert Myler e shfajësonte Trump në lidhje me ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s, komisioni votoi në mënyrë dypartiake, me 22 vota pro dhe asnjë kundër, në favor të rezolutës. Drafti do të shkojë për një votim të përgjithshëm në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nëse merr aprovimin do t’i japë prokurorit të përgjithshëm Uilliam Berr 14 ditë për të përmbushur kërkesën.

Mes materialeve hetimore përfshihen edhe ato audio të regjistruara fshehurazi në ambientet e Departamentit të Drejtësisë për një shkarkim të Trump në bazë të nenit 25 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Neni në fjalë ofron procedurat për zëvendësimin e presidentit në rast vdekjeje, shkarkimi, dorëheqjeje, apo paaftësie për të qeverisur.

Konkretisht, ligjvënësit kërkojnë të dhënat e hetimeve që ish-shefi i FBI-së, Endriu Mek Kejb nisi pasi Trump shkarkoi nga detyra pasardhësin e tij Xhejms Komej në maj të 2017-s. Hetimi në fjalë u zëvendësua më vonë nga ai i prokurorit të posaçëm Robert Myler, që e përfundoi procesin javën e kaluar. Raporti i Myler nuk përmbante prova që stafi elektoral i Trump të ishte mpleksur me palën ruse, por nuk e shfajësonte atë nga akuza e pengimit të drejtësisë./abcnews.al