Sondazhet janë përtokë. Me vetëm 14 përqind rezulton aktualisht në sondazhe Partia Socialdemokrate. Por socialdemokratët duan të luftojnë në garën elektorale në shtator me kandidatin e tyre për kancelar Olaf Scholz.
Teksa u shpall rezultati i votimit të dielën (09.05) pasdite Olaf Scholz-it iu lexua në fytyrë lehtësimi. Me shumicë të madhe votash delegatët konfirmuan të emëruarin nga partia si kandidat për kancelar Olaf Scholz (aktualisht zëvendëskancelar dhe ministër i Financave në kabinetin Merkle) Socialdemokratët synojnë të forcojnë pozicionin me kandidatin e tyre Scholz në zgjedhjet parlamentare më 26 shtator. Nga 545 votues mbi 96 përqind votuan pro Scholz.
Një rezultat ky që nuk e kishte menduar 62 vjeçari, i cili në radhët e socialdemokratëve klasifikohet si politikan i krahut të djathtë brenda partisë. Gjatë muajve të fundit socialdemokratët sa i përket programit janë zhvendosur disi më majtas. Kjo artikulohet qartazi edhe në programin elektoral, që u miratua nga kongresi të dielën (09.05). Në program sërish i „jepet prioritet mirëqenies së përbashkët kundrejt interesave për kapital”, sikurse është shprehur ish-kryetari i socialdemokratëve të rinj, Kevin Kühnert.
Shpenzime më të larta dhe më shumë kredi
Drejtësi sociale, mbrojtje e klimës dhe digjitalizim janë tri shtyllat që përfshin programi. Ekonomia duhet të ristrukturohet duke u orientuar si më shumë sociale dhe neutrale ndaj klimës. “Ne nuk mund të mendojmë ekologjinë nga njëra anë, pa ekonomi dhe pa përgjegjësi sociale”, nënvizon bashkëdrejtuesi i socialdemokratëve Norbert Walter-Borjans. Në programin prej 48 faqesh socialdemokratët kërkojnë sërish treg pune më social, një frenim të qirave në rritje, më shumë para për familjet, paga korrekte dhe taksa më të ulëta për shumicën e popullsisë. Ndërsa për të pasurit duhet të rriten tatimet, edhe duke rivendosur taksën mbi pasurinë.
Një buxhet të ekuilibruar pa kredi të reja nuk është synimi i SPD-së për vitet e ardhëshme. Për të financuar pikërëndesat e programit qeverisës, duhet të shfrytëzohen të gjitha „hapësirat e mundshme kushtetuese për marrje kredish”. Në sektorin e mbrojtjes së klimës, mobilitetit, digjitalizimit dhe kujdesit shëndetësor çdo vit duhet të investohen të paktën 50 miliardë Euro.
Synime mabicioze për klimën
SPD do të shfuqizojë sigurimin bazë për të papunët, të quajtur Hartz IV, sistem ky i aplikuar nga vetë socialdemokratët para gati njëzet vjetësh. Në vend të kësaj synohet të jepen para në një formë të thjeshtuar duke i hequr kushtet e forta që janë aktualisht në fuqi për garantimin e ndihmës sociale. Në dy vitet e para të asistencës nuk duhet të verifikohet madhësia e apartamentit të banimit dhe as pasuria private.
Në qendër të programit elektoral është lufta kundër ndryshimit të klimës. Në programin elektoral parashikohet që deri në vitin 2030 Gjermania t’i reduktojë me 65 përqind emisionet e dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë dhe deri në vitin 2045 të arrihet objektivi për klimën.
Shigjeta ndaj CDU/CSU-së
Me programin e emërtuar „Program për të ardhmen” SPD distancohet qartazi nga partneri i koalicionit qeveritar, CDU/CSU, gjë që e bëri të qartë në fjalimin e tij edhe kandidati për kancelar Olaf Scholz: “Një qeveri e mëtejshme e drejtuar nga CDU/CSU do të ishte një rrezik për mirëqenien dhe vendet e punës, një rrezik për vendin tonë si zonë ekonomike”, tha Scholz. Unioni konservator sipas tij është përgjegjës për bllokimin e përparimit. “Ne mund të jemi shumë më përpara: në digjitalizim, ne kthesën energjetike, në mobilitetin modern. Po ashtu edhe në infrastrukturë e kësisoj edhe në bazën ekonomike për të ardhmen.”
Scholz tha se i vjen keq, që vazhdimisht u duhet socialdemokratëve me profesionalitetin dhe përvojën e tyre qeveritare t’u shpjegojnë të tjerëve mjeshtërinë dhe të nxjerrin ekonominë nga situata, tha Scholz. “Unë dua të drejtoj një qeveri, që ta çojë përpara vendin, që ka plane dhe i vë në jetë ato pa ngurruar. ”
“Olaf Scholz i gatshëm të luftojë”
Programi është motivues për kandidatin për kancelar, theksoi bashkëkryetarja e partisë Saskia Esken. Në zgjedhjet parlamentare vendoset drejtimi mes një politike konservatore apo një politike progresive. “Olaf Scholz është i gatshëm të luftojë”, tha Esken. Bashkëkryetari tjetër i partisë, Walter-Borjans shprehu bindjen, se Scholz është „njeriu i duhur në këto kohë dinamike që po kalojmë”.
Këtë e bëri të qartë edhe vet Scholz në fjalimin e tij që zgjati 45 minuta. “Unë kandidoj për postin e kancelarit, sepse jam i bindur, që unë mund t’ia dal”, tha Scholz, synimi i të cilit është të fitojë pikë me përvojën e tij të gjatë në qeverisje dhe me aftësitë drejtuese.
Scholz Kancelar? Pothuajse pa gjasa
Por a mjafton kjo? Kanë mbetur pak më shumë se katër muaj deri në zgjedhjet për parlamentin e ri. Në sondazhet aktuale, SPD me 14 përqind është në vend të tretë pas ekologjistëve dhe kristiandemokratëve dhe vetëm me fare pak pikë përpara partisë radikale të djathtë AfD. Çfarëdo modele koalicionesh që të përfytyrohen tani, në asnjerin prej tyre SPD nuk mund të drejtojë, por mund të jetë vetëm partner i dytë. Sidoqoftë partia nuk do të pranojë dështimin qysh pa filluar gara. Olaf Scholz sheh potencial të mjaftueshëm për javët e ardhëshme. Ai shprehet optimist për një rezultat mbi 20 përqind.
Pa karizëm dhe pa pasion
Shumë tema të programit elektoral të socialdemokratëve janë përfshirë edhe në programet e partive të tjera, e kryesisht partisë ekologjiste dhe së majtës, që përfaqësojnë temat e majta. Do të varet shumë nëse brenda radhëve të socialdemokratëve do të ruhet fryma e e vendosmërisë me të cilën ata votuan kandidatin e tyre Scholz dhe nëse ky do të arrijë të entuziazmojë zgjedhësit. Olaf Scholz nuk ka karizëm dhe nuk shfaq emocione. Gjatë fjalimit të tij në kongres ai u përpoq të përdor gjestet e mimikën, por e ka të vështirë ta bëjë këtë.
Një ngjitje në heshtje dhe me efikasitet
Kandidati socialdemokrat për kancelar Olaf Scholz është përcaktuar qysh vitin e kaluar. Ai është aktualisht ministër i Financave në kabinetin me bazë të gjerë të kancelares Angela Merkel. Si ministër i Financave ai është përgjegjës për ndihmat e kreditë miliardëshe, përmes të cilave synohet të ndihmohen për të dalë nga kriza ekonomia dhe qytetarët. “Ne do të parashtrojmë në tryezë të gjitha mundësitë dhe do të tregojmë, se jemi më të fortë se problemi, me të cilin mund të përballemi tani ekonomikisht,” deklaroi Scholz qartazi dhe me vendosmëri. Në krizën Corona Scholz është zjarrëfikësi drejtues dhe qytetarët i besojnë atij. Këtë e tregojnë edhe sondazhet prej javësh e muajsh. Në krizë kërkohet pragmatizëm më shumë se sa karizëm dhe kjo është tani në favor të 62 vjeçarit.
Në SPD nuk e preferonin shumë pragmatikun nga Hamburgu, që i ka fjalët e kursyera e gjithmonë thotë vetëm aq sa është e nevojshme. Por Scholz nuk u dekurajua. Në heshtje dhe me efikasitet ai punoi për karrierën politike drejt majave. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i SPD-së, senator për Punët e Brendshme në Hamburg dhe kryebashkiak me funksion qeverisjeje në landin e Hamburgut, ministër i Punës dhe aktualisht ministër i Financave dhe zëvendëskancelar.
Në SPD Olaf Scholz klasifikohet në krahun konservator, por në fakt atij nuk i përshtaten aspak kategorizimet politike majtas apo djathtas. Si nënkryetar i organizatës së të rinjve të SPD-së ai mbronte teza radikale socialiste dhe kritike ndaj kapitalizmit.
Por qysh nga anëtarësimi i tij në SPD si nxënës në vitin 1975 dhe deri në zgjedhjen e tij deputet në Bundestag më 1998 kaluan shumë vite, gjatë të cilave Scholz si avokat në fushën e kodit të punës me një kancelari të vetën në Hamburg mësoi shumë, se si funksionojnë ekonomia dhe sipërmarrja private. Kjo la gjurmë tek ai./DW