Komisioni i sapokrijuar i Dhomës së Përfaqësuesve për konkurrencën e Shteteve të Bashkuara me Kinën do të mbajë sot seancën e parë dëgjimore, në të cilën do të dëshmojnë këshilltarët e sigurisë kombëtare të ish-presidentit Donald Trump dhe aktivistë kinezë të të drejtave të njeriut. Zërit të Amerikës bisedoi me tre anëtarë të komisionit mbi punën e tyre të ardhshme.
Një shqyrtim i gjerë i marrëdhënieve SHBA-Kinë fillon sot në Kongresin amerikan. Anëtarët e një Komisioni të ri të Dhomës së Përfaqësuesve i thanë Zërit të Amerikës se kjo është një çështje më serioze se Lufta e Ftohtë.
“Është një mjedis shumë i ndryshëm. Ne nuk kishim nevojë të shkëpusnim ekonominë tonë nga ajo e Bashkimit Sovjetik. Bashkimi Sovjetik ishte një kërcënim një dimensional, pra një kërcënim ushtarak. Partia Komuniste Kineze është një kërcënim më gjithëpërfshirës”, thotë ligjvënësit Dusty Johnson.
Ligjvënësit thonë se komisioni, i udhëhequr nga ligjvënësi republikan Mike Gallagher dhe ai demokrat Raja Krishnamoorthi, do të shqyrtojë çdo aspekt të konkurrencës së Shteteve të Bashkuara me Kinën.
“Së pari, puna jonë duhet të jetë dypartiake. Së dyti, populli kinez është viktima kryesore e modelit të agresionit të Partisë Komuniste Kineze. Populli kinez nuk është një armik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë ligjvënësi Johnson.
Anëtarët e Komisionit thonë se rrëzimi i një balone spiune kineze më 4 shkurt e ka përqendruar vëmendjen e publikut amerikan tek kërcënimet e mundshme nga Kina.
“Në fakt, incidenti e ngriti rëndësinë e krijimit të komisionit dhe nevojën që Kongresi të kuptojë më mirë sjelljet e Kinës dhe masat që duhet të marrim për të frenuar çdo veprim të mundshëm. Ne duhet të jemi më të zgjuar, më syhapur për veprimet e Kinës në botë”, thotë ligjvënësi republikan Dan Newhouse.
Ndonëse seanca e parë do të përqendrohet në çështjet e sigurisë, me dëshmi nga këshilltarët e sigurisë kombëtare të ish-presidentit Donald Trump, komisioni do të shqyrtojë edhe një sërë çështjesh ekonomike.
“Ne duhet të eksplorojmë prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe se si aleatët tanë po punojnë tani me ne për të penguar përpjekjet për zgjerim të Kinës. Mendoj se në këtë proces ne duhet të shqyrtojmë rrugët që nuk do të rrezikonin zinxhirin tonë të furnizimit. Kina po bënë përpjekje të tjera zgjerimi, si investimet përmes kompanive të saj që kanë hapur biznese në shtete të ndryshme, si Indiana”, thotë ligjvënësi demokrat Andre Carson.
Konkurrenca bujqësore e Shteteve të Bashkuara me Kinën është një shqetësim kryesor për ligjvënësin Dan Newhouse.
“Këto prirje janë shqetësuese, potenciali i dëmtimit të zinxhirit tonë të furnizimit me produktet ushqimore, mundësia e humbjes së kontrollit në këtë sektor. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për sigurinë tonë, sigurinë tonë ushqimore, që pastaj lidhet edhe me sigurinë kombëtare”, thotë ai.
Por ligjvënësit thonë gjithashtu se komisioni duhet të vendosë një ekuilibër për t’u siguruar që puna e tij të jetë e drejtë.
“Ne duam të sigurohemi që po forcojmë aparatin tonë të sigurisë kombëtare dhe në të njëjtën kohë nuk po nxisim ksenofobinë dhe ndjenjat anti-aziatike”, thotë ligjvënësi demokrat Andre Carson.
Komisioni po shqyrton gjithashtu mbajtjen e seancave mbi kërcënimet e mundshme ndaj infrastrukturës jetike të vendit./VOA