Konflikti në Siri, Rusia pranon vdekjen e qytetarëve të saj

schedule18:12 - 20 Shkurt, 2018

schedule 18:12 - 20 Shkurt, 2018

Qeveria ruse ka mohuar dërgimin e mercenarëve në Siri, për të luftuar përkrah forcave të presidentit Bashar al Assad. Në reagimin e parë lidhur me vdekjen e përfolur të 100 shtetasve rusë, Moska ka deklaruar se bëhet fjalë për qytetarë që kishin shkuar në Siri për motive personale.

Ministria e Jashtme ruse ka konfirmuar këtë të martë se qytetarë të shumtë rusë, jo anëtarë të rregullt të forcave të armatosura, kanë mbetur të vrarë e të plagosur në një betejë të regjistruar së fundmi në Siri.

Në deklaratën zyrtare nuk jepet data e saktë se kur ka ndodhur beteja, por në të nënvizohet se asnjë anëtar i ushtrisë zyrtare ruse nuk ka humbur jetën. Më herët qeveria ruse kishte deklaruar se të paktën 5 shtetas rusë kishin vdekur në një konflikt në provincën Dir al Zur.

Por raportime të mediave ruse flasin për mbi 100 mercenarë rusë të vrarë nga një sulm ajror amerikan më 7 Shkurt. Mediat në fjalë kanë publikuar edhe prova se si mercenarët rusë po luftojnë përkrah trupave qeveritare siriane.

Ndërsa roli i trupave zyrtare të dërguara nga Moska bazohet në sulme ajrore, që ndihmojnë forcat tokësore të presidentit Assad. Por Ministria e Jashtme ruse ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “RIA” se viktimat ishin shtetas rusë që kishin shkuar në Siri me vullnetin e tyre dhe për arsye të ndryshme.

Disa prej tyre ishin nga ish-republika të tjera sovietike. Sulmi ajror i trupave amerikane u krye më 7 shkurt ndaj një njësie luftarake prej 500 anëtarësh, rreth 100 prej të cilëve mbetën të vrarë./acbnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!