Konflikti në PD, Sefa: Berisha po fut kandidatë për përçarje! Gjata: U “dogji”, hapni krahun

schedule22:34 - 25 Janar, 2022

schedule 22:34 - 25 Janar, 2022

Marrëdhënia institucionale mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës ka pësuar një krisje të fortë ku palët kanë nisur sulmet e ndërsjellta mes tyre. Kreu i shtetit iu përgjigj një akuze publike të numrit dy të demokratëve, Gazment Bardhi në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe mbi rolin që Presidenti i Republikës ka për të vënë në lëvizje “Kushtetuesen” për t’u shprehur mbi legjitimitetin e një procesi zgjedhor.

Ilir Meta i zhveshi nga pozicionet politike në PD, Lulzim Bashën dhe Gazment Bardhin, duke i konsideruar të dy si deputetë të thjeshtë, një përcaktim që muajt e fundit ndaj Bashës dhe Bardhit e ka bërë Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit.

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa i ftuar mbrëmjen e sotme në “Log.” sulmoi Presidentin Ilir Meta si pjesë e organizimit kundër Lulzim Bashës dhe theksoi se qëllimi i selisë blu nuk është gara me kandidatët e Sali Berishës, por fitoja e 6 bashkive në zgjedhjet e 6 marsit.

Presidenti ka qenë edhe organizator i protestës së datës 8, kjo vërtetohet me mesazhet. Presidenti nga njëra anë mban qëndrim që nuk i njoh zgjedhjet, pastaj nxjerr dekretin për zgjedhjet e pjesshme. Për konsultimet, edhe retorikën, ai i referohet kryetarit të PD-së, si deputeti Basha dhe sekretarit të përgjithshëm, deputeti Bardhi.

Presidenti është palë kokë e këmbë. Thirri vetëm shumicën për konsultime dhe fakti që nuk thirri opozitën, nuk donte të legjitimonte opozitën. KQZ sot i dha përgjigje edhe presidentit, u depozitua regjistrimi nga PD dhe vendimi i gjykatës.

PD ka për detyrë që t’u ofrojë qytetarëve kandidatura sa më cilësore të mundshme. Pak ka të bëjë me politikën qeverisja lokale. Ne duhet të japim vizionin si qeveris PD, për të bërë qytetet më të jetueshme. Pastaj se ka njerëz që duan të dëmtojnë anëtarët e PD-së duke ftuar kandidatë për të përçarë zgjedhësit. Ne nuk kemi garë me Sali Berishën, qëllimi ynë është që të fitojmë bashkitë. PD është më e madhe se Berisha, Basha dhe se të gjithë ne të tjerët” tha ai.

Ish-sekretari ligjor i PD-së, Çlirim Gjata, që aktualisht është krahun tjetër, me grupin e Sali Berishës tha se zgjedhja e kandidatëve do të bëhet me primare. “Ne organizojmë për herë të parë primaret. Gaz Bardhi e tha që këto zgjedhje nuk janë test, që edhe po i humbën, se dinë se do të humbin.

Fakti që shprehen në këtë formë tregojnë se u ka “djegur”. Tani do të na thonë fajin e ka Berisha që i humbëm zgjedhjet. Mirë Rama bëri masakër elektorale, por përse hyri në zgjedhje me atë? Po nëse Berisha s’ju lë të fitoni, ikni atëherë” tha Gjata./ Abcnews.al