Moska zyrtare i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të rishikojnë planet për dërgimin e paqeruajtësve në lindje të Ukrainës, pasi një ndërhyrje e tillë pa konsultuar më parë Kremlinin do të ndërlikonte situatën.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka deklaruar se situata në territoret e pushtuara të Donetskut dhe Luhanskut, në lindje të Ukrainës, rrezikon të përkeqësohet nga planet për dërgimin e paqeruajtësve të OKB-së. Në një intervistë për gazetën ruse “Kommersant”, Lavrov ka nënvizuar se plani për dërgimin e “kaskave blu” në vitin 2018 në dy rajonet janë hartuar pa marrë parasysh qëndrimin rus.
“Kjo çështje nuk varet nga ne. Po të ishte për ne, ata duhet të ishin vendosur atje shumë më parë. Por tani ka diçka që i pengon, fakti që askush nuk dëshiron të diskutojë propozimet tona”, ka deklaruar Lavrov.
Shefi i diplomacisë ruse ka komentuar edhe Marrëveshjen e Minskut, për vendosjen e paqes në lindje të Ukrainës, duke saktësuar se, së pari ajo parashikon amnestinë për luftëtarët e përfshirë në konflikt, hyrjen në fuqi të ligjit që parashikon statusin special për rajonet, si dhe përfshirjen e tij në Kushtetutë si mënyra e vetme që në këto zona të mbahen zgjedhjet.
“Ata që synojnë të izolojnë njerëzit në këto rajone me bllokada ilegale, duke u ndërprerë telekomunikimin dhe duke i izoluar duhet të kenë parasysh se këta njerëz nuk janë kriminelë dhe as terroristë siç i quan Kievi, që njoftoi ndërmarrjen e Operacionit Antiterror. Nga këta njerëz në këto rajone nuk ka ardhur asnjë sulm”, ka thënë më tej Lavrov.
Ai ka shtuar se Marrëveshja e Minskut, e ndërmjetësuar nga Perëndimi, është e pamundur të përmbushet përsa kohë nuk merret parasysh pjesa politike e saj.
“Premtimi se marrëveshja do të përmbushet, në një kohë kur trupat e OKB-së synojnë të marrin nën kontroll këto territore, vihet në dyshim. Nëse autorët e këtyre planeve arrijnë të bindin banorët e rajoneve, atëherë le ta bëjnë. Por besoj se ata që promovojnë koncepte të tilla duan thjesht t’u zënë frymën zonave në fjalë”, ka shtuar Lavrov./abcnews.al