Një konflikt brenda skuadrës ka shpërthyer te Kukësi, që doli i mundur në sfidën e Superligës ndaj Partizanit. Trajneri Cungu përplaset me një nga lojtarët kryesorë.
Nuk mjafton humbja, por ja edhe problemet pas saj. Kukësi nuk ia doli ndaj Partizanit, edhe pse u përpoq shumë, ndërsa pas ndeshjes situata u rëndua nga një konflikt brenda ekipit. Trajneri Armando Cungu pati kritika ndaj sulmuesit kryesor, Rezhinaldo, ndërsa foli për Supersportin, por sulmuesi duket se nuk i priti aspak mirë fjalët e tij.
Afrikani reagoi dhe pati ofendim për shkodranin, të paktën siç jepet në intervistën e tij për “Panorama Sportin”, duke e ftuar që të mos qahet në televizione. Nuk dihet nëse do të ketë ndëshkim për Rexhinaldon, por për momentin, Kukësi ka shumë nevojë për të.
Burime në klub pohuan për ABC News se drejtuesit mendojnë se nuk kanë sulmues tjetër përveç afrikanit, pra edhe mund ta tolerojnë sjelljen e tij, ndonëse mund të jetë trajneri që mund të mbajë qendrim.
Presidenti Gjici është i bindur se shumica e 14 lojtarëve të sjellë në verë nga trajneri i mëparshëm, Pakult, nuk rezultuan të suksesshëm, ndërsa pritet janari për të sjellë përforcime. Kjo gjendje, plus dëmtimi i Musollit dhe Rrumbullakut, kanë bërë që Gjici të mos e kërkojë fajin tek trajneri, siç ka ndodhur jo rrallë në të kaluarën.
Vetë Cungu theksoi këto probleme për ekipin e tij.
“Nëse pretendon për kampion nuk duhet të pretendojmë me fjalë por me vepra në fushën e lojës. Natyrshëm për të dalë kampionë kërkohen kampionë sikurse edhe djem të rinj si Mala dhe Asani që po rezultojnë determinantë për Partizanin”, tha ai.
A ka shpresë Kukësi pas humbjes me Partizanin?
“Kundërshtatri është gjashtë pikë para. Nuk është e thënë që është fundi”, tha Cungu.
Lajmi i vetëm i mirë është që Rrumbullaku mund të kthehet kur të rinisë Superliga./abcnews.al