Vizita e negociatorit koreano-verior në Uashington i ka hapur dyert takimit të dytë mes presidentit Trump dhe liderit Kim Jong Un. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar mbajtjen e tij muajin e ardhshëm, por jo vendin. Samiti shihet si një shtysë pozitive në procesin e çarmatimit bërthamor të Penianit.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un do të takohen për herë të dytë në fund të muajit shkurt. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar të premten zërat që qarkullonin prej kohësh në mediat ndërkombëtare. Njoftimi zyrtar vjen pasi Trump priti në një takim të dërguarin e Penianit, Kim Jong Çol, i cili dorëzoi një letër të shefit të tij. Ndërsa zërat për takimin e dytë gjetën më në fund konfirmim, për vendin e takimit vijojnë spekulimet se do të jetë Vietnami, ku përfaqësues të dy administratave kanë zhvilluar një seri takimesh që nga fillimi i vitit. Vizita e negociatorit Kim Jong Çol në Uashington është shenja e parë se në aspektin e diplomacisë bërthamore po ecet përpara, komenton korrespondentja e BBC pranë Departamentit të Shtetit, Barbara Plet. Nuk dihet me saktësi se cila ka qenë përmbajtja e letrës së Kim Jong Un, por sikurse pritej, ajo i hap rrugën përgatitjeve për samitin e dytë, pas atij të mbajtur në qershor në Singapor. Takimi në fjalë ishte historik për faktin se u mbajt, por në thelb ajo çka u arrit, sidomos në aspektin e çarmatimit bërthamor të Koresë së Veriut, ishte diçka e vakët. /abcnews.al