Konfirmohet gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë: Ferma është vendosur në karantinë

schedule08:15 - 4 Mars, 2025

schedule 08:15 - 4 Mars, 2025

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se është konfirmuar me anë të testit RT-PCR sëmundja e Influencës Aviare, tipi H5N1, në vendin tonë.

“Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet përkatëse të varësisë kanë marrë masat në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë, se në Qarkun Durrës, në subjekti “Rea’s” shpk, me vendndodhje në fshati Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rashbull, ka patur ngordhje shpendësh. Situata mbarë botërore lidhur me praninë dhe përhapjen e sëmundjes virusale të Influencës aviare mbetet shqetësuese, pasi kjo sëmundje ka shkaktuar dëme masive në një numër të lartë shpendësh oborresh, për prodhim, si dhe atyre të egër. Sipas Organizatave Botërore të Shëndetit të Kafshëve, asaj të Njeriut e me tej janë me qindra vatra aktive të virusit në shpendë dhe në specie të tjera”, thuhet në reagim.

Pas konfirmimit, janë zhvilluar diskutime, “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Infuencës aviare ne shpendë, në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve e gjalla”.

Gjithashtu Lidhur me rastin, Ministria e Bujqësisë informon se strukturat qendrore dhe rajonale ka vendosur fermën në karantinë, ku janë marrë mostra zyrtare dhe janë dërguar brenda ditës, për analizim në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njoftuar gjithashtu 68-subjektet e mbarështimit të shpendëve, të cilët duhet të marrin masa për biosigurinë në stablimentet e tyre, si dhe ka njoftuar shërbimin veterinar rajonal në rang vendi, për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës.

Të pranishëm në terren kanë qenë edhe strukturat veterinare Rajonale, të Drejtorisë së Përgjithshme të AKVMB dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!