Konfindustria për arrestimet e biznesmenëve: Prokuroria të ketë kujdes me akuzat

schedule12:01 - 8 Shtator, 2019

schedule 12:01 - 8 Shtator, 2019

Konfindustria ka reaguar për arrestimet e fundit lidhur me aksionin anti-informalitet, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë dhe ekzekutivit, që të jenë të kujdesshëm dhe profesionalë në ngritjen e akuzave ndaj bizneseve.

Sipas Konfindustrisë, akuzat e ngritura duhet të jenë tërësisht të bazuara, të pandikuara nga politika dhe konkurrenca në treg e bizneseve, korrupsioni dhe shfaqjet mediatike për përfitime personale përballë procesit të Vetting-ut.

“Rastet e përsëritura të ndalimeve të bujshme nga organi i Prokurorisë të drejtuesve të bizneseve, përfshi dhe rastet e fundit të skemave fiktive të TVSH, shoqëruar me paaftësinë e akuzës për t’i mbrojtur në gjykatë, prodhojnë pasoja mjaft të dëmshme ndaj konkurrencës së lire në treg në afatgjatë”, thuhet në reagimin e Konfindustrisë.

Më tej, ky institucion kujton se rasti i ndalimeve të bujshme të muajit Janar 2019 me akuzën për përvetësim në vlerën e 18 milionë euro me skema fiktive të TVSH, ku askush nuk është në dijeni sot, se çfarë është bërë nuk duhet të përsëritet.

Konfindustria thekson se dëmi moral dhe financiar shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve nga publikimi në media i emrave, në rastin kur akuzat e ngritura nga prokuroria rrëzohen me vendim gjykate, është mjaft i lartë.

Në fund të reagimit, Konfindustria thotë se skemat mashtruese të TVSH, në vlera kaq të larta financiare nuk mund të krijohen dhe zbatohen pa pjesëmarrjen dhe korrupsionin e përfaqësuesve të gjithë niveleve të agjencive shtetërore të përgjegjësisë dhe problematikave në legjislacionin në fuqi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!