Lufta kundër informalitetit duhet të bëhet në themel jo me aksione të përkohshme. Kështu e vlerëson Konfindustria planin operacional të qeverisë duke nënvizuar se përfundimet e kontrollit të kryer në autostradën Tiranë – Durrës janë mjaft shqetësuese.
Në parim e mbështesin nismën e qeverisë për të luftuar informalitetin, por në praktikë kanë dyshime se do të jenë aksione të përkohshme.
Është ky qëndrimi i Konfederatës së industrive të Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp sqarojnë se për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare punës në të zezë të ekonomisë duhet të kërkohet ndryshim në themelin e ndërtimit dhe funskionimit të sotëm të tregjeve, përfshirë tregun e karburanteve, si tregu më i madh me afër 1.3 miliard euro/vit qarkullim dhe mbi 10% të PPB.
“Konfindustriavlerëson, se shkalla e lartë e informalitetit në ekonomi nxitet së pari, nga ngarkesa e lartë fiskale, që p.sh në sektorin e karburanteve arrin në mbi 60% të cmimit fundor, së dyti nga korrupsioni i qartë, subjektivizmi dhe paaftësia e agjencive shtetërore zbatuese, që në shumicë gjen hapsira ligjore të lëna qëllimisht në system dhe së treti,nga lufta e ashpër për mbijetesë e operatorë venë kushtet e ngadalësimit të ekonomisë kombëtare”.
Për Konfindustrian shembull mjaft shqetësues janë përfundimet e kontrollit të kryer në autostradën Tiranë – Durrës dhe të bëra publike së fundmi nga përfaqësues të lartë të qeverisë.
“Sipas të dhënave zyrtare të kontrollit, pikat e shitjes së karburantit, të ndodhura në zonën më të rëndësishme ekonomike të vendit, ishin në shkelje të hapur me ligjin në fuqi. Në shumicë dërrmuese shitja e karburantit kryhej me “dorë” dhe jashtë sistemit “online” ligjor, duke krijuar të gjitha kushtet e mundshme për abuzim dhe korrupsion”.
Dëmet financiare,që i shkaktohen buxhetit të shtetit, qytetarëve dhe bizneseve vetëm nga sektori i karburanteve janë të shkallës në mbi 150 milion euro/vit, pa përfshirë dëmet në shëndetësi dhe mjedis, pasojë e cilësisë së dobët të produkteve në qarkullim.- deklaron Konfinduatria sipas të cilës gjithcka më sipër është kosto shtesë e drejtpërdrejtë e çmimit fundor të karburanteve në Shqipëri edhe kështu nga më të shtrenjtit në rreshtimin botëror. /ABC News Albania 24/7