Konferenca mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë ka nisur me një incident diplomatik. Delegacioni i Serbisë i kryesuar nga ministri serb i Mjedisit nuk ka pranuar që Kosova të ulet në tryezë me të drejta të plota përmes ministrit të Mjedisit Fatmir Matoshi, por ka kërkuar të përfaqësohet nën siglën e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Tensionet Kosovë –Serbi mbërrijnë dhe në Tiranë. Një incident mes palëve ka shtyrë për rreth dy orë konferencën për klimën në Ballkanin Perëndimor. Detajet para gazetarëve i shpjegoi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi.
Aktiviteti organizohej nga Kombet e Bashkuara, ndërsa Kosova ishte ftuar për të marrë pjesë nga mikpritësja e takimit, Shqipëria.
Kosova vinte me statusin e të ftuarit special për të cilën ministri shqiptar i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi tregoi se kishte dakordësinë e Kombeve të Bashkuara dhe Serbisë.
Pas rreth dy orë negociatash mes palësh me ndërmjetësim të ministrit të Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi konferenca nisi në nivel teknik dhe në tryezë ishin të pranishëm si përfaqësues të delegacionit serb ashtu dhe atij kosovar.
Pavaresisht kësaj ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi atë çfarë kishte pasur për të thënë tregoi se ja kishte bërë të ditur në darkën e zhvilluar mbrëmjen e të enjtes.
Incidenti në Tiranë vjen një ditë pasi Kryeministrja e Serbisë konfirmoi para gazetarëve në Samitin e Dytë Digjital në Beograd se Kosova dhe Serbia do të përballen në Arbitrazh për taksën mbi mallrat serbe./abcnews.al