Konferenca e donatorëve më 17 shkurt në Bruksel, Von Der Layen: KE do të ndihmojë Shqipërinë

schedule14:00 - 10 Janar, 2020

schedule 14:00 - 10 Janar, 2020

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen konfirmoi se konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të zhvillohet në 17 shkurt në Bruksel. Ajo ka përçuar gjithashtu një mesazh të qartë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Nga Erisa Zykaj

Konferenca e donatorëve për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri do të zhvillohet në 17 shkurt në Bruksel. Këtë e ka konfirmuar presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në një konferencë për shtyp me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç në Kroaci.

Ursula Von der Leyen, presidente e KE-së tha se “Jam në gjendje t’ju them, duke qenë se po flasim për angazhdimin tonë krah për krah miqve tanë të Ballkanit Perëndimor, se konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të zhvillohet në 17 shkurt. Konferenca e donatorëve zhvillohet pas tërmetit të tmerrshëm në Shqipëri dhe ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë në proçesin e rindërtimit”.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë shtetet anëtare të Bashkimi Evropian, partnerët e Ballkanit Perëndimor, organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore. Presidentja e Komisionit Europian ka përçuar gjithashtu edhe një mesazh të qartë për hapjen e negociatave të anëtarêsimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ursula Von der Leyen më tej u shpreh se “”Samiti i Zagrebit do të jetë një samit potencialisht historik. Ne kemi ende shumë punë për të bërë që ky samit të jetë i tillë. Ne do të bëjmë një propozim per metodologjinë e re së shpejti për të reflektuar, se si mund të përmirësojmë proçesin e antëtarësimit, por jam thellësisht e bindur që kjo nuk duhet të na pengojë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne u kemi kërkuar vendeve të bëjnë shumë. Ata kanë përmbushur kriteret dhe ne tani ne duhet të përgjigjemi për premtimet që kemi bërë”.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ka theksuar se samiti për Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet në Zagreb në muajin maj midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të shënojë një histori suksesi për politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!