Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar menjëherë pas mbylljes së Konferencës së Donatorëve në Bruksel ku është arritur që të grumbullohet fatura prej 1.15 miliardë euro në kuadër të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook Basha shkruan se detyra e të gjithëve tashmë është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë.
Ndër të tjera kryedemokrati është shprehur se është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur keqpërdorimin dhe abuzimin me to.
“Të gjitha donacionet ndërkombëtare për popullin shqiptar për dëmet e pas tërmetit të 26 nëntorit janë të bekuara dhe të mirëpritura. Falenderime dhe mirënjohje për çdo vend, çdo organizatë dhe çdo institucion ndërkombëtar që i gjendet pranë qytetarëve shqiptarë në këtë moment të vështirë. Detyra jonë është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur keqpërdorimin dhe abuzimin me to”, shkruan Basha.