Aeroporti Nënë Tereza ka ulur tarifat e pasagjerit si hapin e parë për të ulur çmimin e biletave të cilat konsiderohen të shtrenjta.Ky është vendimi i parë i marrë nga koncesionari i ri shqiptar “Kastrati” i cili bleu aksionet nga kompania kineze.
Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i TIA, Constantin Von Alvensleben theksoi se një element me shumë rëndësi në uljen e çmimit të biletave është edhe rritja e konkurencës midis kompanive ajrore.
“Aeroporti i Ndërkombëtar i Tiranës ka pasur një vendim për të ulur tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro dhe kjo përkthehet në një kosto më të lirë dhe për kompanitë ajrore që përcaktojnë çmimin e biletës që ne presim të jetë më i reduktuar duke u përkthyer në më shumë udhëtime për pasagjerët. Kompania ajrore vendos për çmimin. Çmimi i biletës dhe kjo është ndërthurje e disa elementëve që ndikohen kryesisht nga kostot e stafit dhe nga çmimi i karburantit. Megjithatë një faktor i rëndësishëm është edhe konkurenca midis kompanive dhe ne kemi synim ta shtojmë edhe më shumë, ka thënë ai.
Konçesionari i ri synon që të investojë 100 mln euro në shtimin e kapaciteteve në aeroportin “Nënë Tereza” .
“Është një paketë investimesh prej 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit duke pasur në fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit nga 3 që janë aktualisht. Në fokus do të jetë zgjatimi i pistës, përmirësimi i plotë i infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve”, është shprehur drejtori i TIA.
Ndërkohë pas penalizimit nga pandemia sektori i aviacionit pret ti rikthehet aktivitetit normal pas gjysmës së dytë të këtij viti.
“Pandemia ka lënë gjurmë në sektorin e avizaicionit duke ulur trafikun dhe përfitimet me 60%.Por shpresojmë që nëse do kryhet vaksinimi do të rinisë aktiviteti brenda gjysmës së këtij viti pasi ka etje të njerëzve që duan të fluturojnë”, ka thënë ai
Një tjetër vendim i marrë është edhe liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që gjithashtu pritet të sjellë kosto më të ulët për furnizimin e avionëve me karburant ,fakt që gjithashtu do të ketë efekt në uljen e çmimit të biletës që paguajnë udhëtarët ./abcnews.al