Joe Biden dhe Kamala Harris kanë zgjedhur 7 gra për stafin që në Shtëpinë e Bardhë do të merret me komunikimin. Përveç zëdhënëses së re Jen Psaki, janë emëruar, Karine Jean Pierre, zëvendës zëdhënëse, Kejt Bedingfilld drejtoreshë komunikimi, Pili Tobar zv.drejtoreshë, Elizabet Aleksandër zëdhënëse e zonjës së parë, Eshli Etien drejtoreshë për komunikimin e zv.presidentes dhe Simon Sendërs zëdhënëse e zv/presidentes.
Në një deklaratë për shtyp Biden prezantoi stafin duke thënë se komunikimi i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë është një nga detyrat më të rëndësishme të presidentit, dhe skuadra do të ketë përgjegjësinë për të lidhur popullin me shtëpinë e bardhë.
Ndërsa Harris e vuri theksin tek sfidat e paprecedentë me të cilat po përballet vendi, të cilat për t’i kaluar duhet komunikuar në mënyrë të qartë dhe të ndershme me popullin amerikan. Objektivi sipas saj është ndërtimi i një presidence që reflekton më të mirën e vendit.
Më tej presidenti i zgjedhur Biden iu drejtua Trump duke i bërë apel që të ulë tonet dhe të dëgjojë palën tjetër pasi kundërshtarët nuk mund të trajtohen si armiq: jemi të gjithë amerikanë, shtoi ai në një mesazh të publikuar në profilin e tij Twitter.
Nuk kanë munguar momentet e ankthit për Biden i cili theu këmbën teksa luante me qenin dhe tashmë duhet të mbajë një mjet mbështetës për disa javë. Donald Trump i ka dërguar një mesazh duke i uruar shërim të shpejtë./abcnews.al