Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të premten se SHBA-të kanë “shqetësim të thellë” për përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar qeverinë e Moldavisë.
Kjo vjen pasi presidentja e Moldavisë Maia Sandu tha në fillim të kësaj jave se Rusia po planifikonte një grusht shteti në Moldavi.
“Ne kemi shqetësim të thellë për disa nga komplotet që kemi parë që vijnë nga Rusia për të tentuar të destabilizojnë qeverinë,” tha Blinken në një takim me Sandu në Gjermani në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih. “Ne qëndrojmë fuqishëm me Moldavinë në mbështetje të sigurisë së saj, pavarësisë, integritetit të saj territorial, përpjekjeve shumë të rëndësishme reformuese që presidenti dhe qeveria po bëjnë”.
Sandu e përshkroi vitin 2022 si një “vit tepër të vështirë për Moldavinë” dhe falënderoi SHBA-në për mbështetjen e saj me sfidat e saj të panumërta, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe sigurinë.