Këtë të premte, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ka filluar procesi i lincesimit, të klubeve, të cilat aplikojnë për t’u pajisur me një licencë për pjesëmarrjen në kompeticionet e organizuar nga UEFA e FSHF, për sezonin 2024-2025.
Me anë të një komunikate, të shpërndarë në faqen e tyre zyrtare, Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të FSHF-së ka njoftuar se ky proces do të zgjasë deri në 31 marsin e vitit 2024, sipas afateve, të vendosura nga UEFA.
Njoftimi i plotë:
Departamenti Ligjor dhe i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit informon të gjithë klubet e futbollit (për djem dhe vajza) dhe opinionin publik se ka filluar procesi i licencimit të klubeve aplikante për një licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2024-2025.
Ky proces do të përmbyllet më 31 mars 2024, sipas afateve të vendosura nga FSHF dhe UEFA. Gjatë kësaj periudhe klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në Sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur gjashtë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces.
Kriteret që duhet të plotësohen janë: kriteri sportiv, ai i përgjegjësisë sociale në futboll, i infrastrukturës, kriteri i administratës dhe personelit, kriteri ligjor dhe kriteri financiar.
Aplikimet pas afateve të vendosura, nuk do të merren parasysh dhe do të jenë subjekt i Komisionit të Licencimit deri në moslejim të pjesëmarrjes në kompeticionet e UEFA-s & FSHF-së për sezonin 2024 – 2025. /i.m /abcnews.al