Kompania Meta gjobitet me 1.2 miliardë euro nga Irlanda

schedule13:39 - 22 Maj, 2023

schedule 13:39 - 22 Maj, 2023

Autoriteti Irlandez i Privatësisë ka vendosur një gjobë rekord prej 1.2 miliardë eurosh ndaj kompanisë Met për shkeljen e ligjit evropian për mbrojtjen e të dhënave nëpërmjet rrjetit social Facebook. Kjo është bërë e ditur nga Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave.

Kjo është gjoba më e lartë e vendosur nga një rregullator i mbrojtjes së të dhënave në Evropë, rezultat i një hetimi të nisur në vitin 2020. Meta, e cila synon të apelojë vendimin, u dënua për “vazhdim të transferimit të të dhënave personale” të përdoruesve nga Zona Ekonomike Evropiane (ZEE) në Shtetet e Bashkuara në kundërshtim me rregullat evropiane për këtë çështje.

Meta gjithashtu duhet të “pezullojë të gjitha transferimet e të dhënave personale në Shtetet e Bashkuara brenda pesë muajve” nga njoftimi i vendimit. Meta e quan gjobën “të pajustifikuar dhe të panevojshme” dhe do të nisë veprimet ligjore për ta pezulluar atë, tha në një deklaratë gjiganti i rrjeteve sociale.

“Mijëra kompani dhe organizata mbështeten në aftësinë për të transferuar të dhëna midis BE-së dhe SHBA-së” dhe “ka një konflikt të të drejtave themelore midis rregullave të qeverisë amerikane për aksesin e të dhënave dhe të drejtave evropiane të privatësisë”, shpjegoi gjigandi kalifornian./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!