Kompania amerikane teston ilaçin kundër koronavirusit tek 1 mijë pacientë

schedule11:45 - 2 Mars, 2020

schedule 11:45 - 2 Mars, 2020

Një firmë biomjekësore amerikane ka njoftuar se do të fillojë studime shtesë klinike të Remdesivir-it, deri më tani ilaçi më premtues për koronavirusin. Testimet fillojnë këtë muaj dhe do të zhvillohen tek rreth 1 mijë pacientë.

Ilaçi, i shpikur nga kompania Gilead Science me seli në Kaliforni, po testohet fillimisht tek afro 400 pacientë “me simptoma të rënda të virusit COVID-19”, të cilëve do t’u jepet një kurë pesë ose dhjetë ditore e këtij ilaçi.

Një tjetër grupim prej rreth 600 pacientësh “me simptoma mesatare të sëmundjes”, sipas një deklarate të kompanisë Gilead, do të ndahen në tre grupe. Një e treta e tyre do të marrë pesë ditë trajtim me ilaçin Remdesivir, një e treta tjetër do të marrë 10 ditë trajtim dhe pjesa e mbetur do të vazhdojë të marrë “vetëm kujdesin shëndetësor standard”, i cili mund të përfshijë ilaçe për dhimbje dhe ethe, lëngje dhe oksigjen, nëse është e nevojshme.

Në shkurt, kompania Gilead, duke punuar me autoritetet kineze dhe shkencëtarët, filloi dy studime klinike në Wuhan, ku shpërthimi i virusit u raportua për herë të parë, si dhe do të zhvillojë një testim tjetër afatgjatë të udhëhequr nga Universiteti i Nebraskas.

Ky raund i katërt i provave klinike do të zhvillohet “në qendra mjekësore kryesisht në vende aziatike”, tha kompania, “si dhe në vende të tjera të globit që kanë një numër të lartë të rasteve të diagnostikuara”.

Një zyrtar i lartë i kompanisë Gilead u tha gazetarëve amerikanë se qëllimi i tyre është të zbulojë nëse do të funksionojë ky trajtim. Nëse po, “kjo do të dyfishojë automatikisht furnizimin me ilaçin” dhe do të mundësojë që spitalet të trajtojnë më shumë pacientë.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit, përmendi ilaçin Remdesivir të enjten në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Donald Trump dhe Zv.presidentin Mike Pence.

Zoti Fauci tha se ilaçi Remdesivir ka demonstruar “aktivitet anti-viral in vitro dhe tek kafshët.” Ai gjithashtu tha se së shpejti do të kemi rezultate.

Kompania thekson se “Remdesivir-i nuk është akoma i licencuar në ndonjë vend të botës” dhe se kompania Gilead po ua jep ilaçin “pacientëve që janë infektuar me virusin COVID-19, mbi një bazë përdorimi të kujdesshëm ” shkruan VOA, raporton abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!