Komiteti i Trazirave të Kapitolit kërkon që Ivanka Trump të dëshmojë vullnetarisht

schedule01:45 - 21 Janar, 2022

schedule 01:45 - 21 Janar, 2022

Hetuesit e Kongresit Amerikan i kanë kërkuar Ivanka Trump, vajzës së ish-presidentit, të dëshmojë për trazirat e 6 janarit në Kapitolin e SHBA-së. Lëvizja për të kërkuar dëshmi nga një anëtar i familjes Trump shënon një përshkallëzim të hetimit të komitetit për trazirat. Në një letër, hetuesi kryesor Bennie Thompson tha se ajo ishte e pranishme kur babai i saj dyshohet se i bëri presion zëvendëspresidentit të tij për të refuzuar rezultatet e zgjedhjeve.

Një turmë hyri në Kapitol ndërsa ligjvënësit u mblodhën për të konfirmuar fitoren e Presidentit Biden. Ivanka Trump, vajza e madhe e Donald Trump, shërbeu si një nga këshilltaret e tij të larta gjatë presidencës së tij, sëbashku me bashkëshortin e saj Jared Kushner. Komiteti thotë se ajo mori pjesë në përpjekjet për të bindur zotin Trump që të largonte përkrahësit e tij gjatë dhunës raporton “BBC”.

Në letrën që zoti Thompson i dërgon zonjës Ivanka Trump shkruhet se “Dëshmitë e marra nga Komiteti i Përzgjedhur tregojnë se anëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë kërkuan ndihmën tuaj në shumë raste për të ndërhyrë në një përpjekje për të bindur Presidentin Trump të trajtojë paligjshmërinë dhe dhunën e vazhdueshme në Capitol Hill”.  Një përfaqësues i zonjës Trump tha për mediat amerikane se ajo sapo kishte mësuar se komiteti i 6 janarit kishte lëshuar një letër publike duke i kërkuar asaj të paraqitej. “Siç e di tashmë Komiteti, Ivanka nuk foli në tubimin e 6 janarit,” tha zëdhënësi. / abcnews.al