Komisioni për zbatimin e reformës në drejtësi: Rasti “Sheshi” të shqyrtohet

schedule19:51 - 28 Janar, 2019

schedule 19:51 - 28 Janar, 2019

Komisioni i Pavarur pranë Kuvendit, për monitorimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, është shprehur se, bazuar në dokumentacionin e Autoritetit të Dosjeve, prokurori Bujar Sheshi nuk mund të zgjidhej anëtar i Këshillit të Lartë të  Prokurorisë. Ky komision i rekomandon Komisionit të Ligjeve dhe KLP hetimin e këtij rasti.

Komisioni i Pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të Ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ka përpiluar një raport të mbledhjes së zhvilluar ditën e hënë ku kërkon sqarimin e situatës së krijuar me anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, i akuzuar si bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit, kriter ndalues ky për postin që mbledhja e përgjithshme e prokurorëve i dha.

Ky Komision është vënë në dijeni të një vendimi të Autoritetit për Informimin mbi dokumentat e ish-sigurimit të shtetit të datës 22 janar, ku përcaktohet se zoti Bujar Sheshi figuron në dokumente të ish-sigurimit të shtetit si bashkëpunëtor, por nga verifikimet e deritanishme nuk disponon dokumente që ta vërtetojnë aktivitetin e tij. Gjithashtu Autoriteti njoftoi komisionin se për zotin Sheshi, figurojnë material në emër të tij në dokumente të ish sigurimit të shtetit, si anëtar me detyrë hetues në sektorin e hetuesisë së degës së punëve të brendshmë në fier që nga viti 1979.

Bazuar në këtë vendim të Autoritetit, Komisioni i Pavarur vlerëson rastin Sheshi si në kushtet e pazgjedhshmërisë në ushtrimin e funksionit dhe kandidatit për KLP.

Komisioni miratoi me 5 vota raportin e së hënës: “Ku i kërkojmë Komisionit të Ligjeve hetimin e fenomenit dhe të rastit, KLP-së të shqyrtojë rastin me precedent dhe prokurorisë çfarë masash ka marrë”.

Raporti i rekomandon Komisionit të Ligjeve thirrjen në seancë të posaçme të antarëve të Autoritetit të Dosjeve për t’i kërkuar shpjegime lidhur me shkaqet e vonesës në shqyrtimin dhe verifikimin e rastit të Bujar Sheshit, kjo pasi sipas gjetjeve të komisionit duke krahasuar referencat kohore të rasteve të tjera, Autoriteti rezulton se në rastin e zotit Sheshi ka marrë më tepër kohë për marrjen e vendimit.

Kjo pasi Prokuroria ka përcjellë tek Autoriteti, formularin për verifikimin e Sheshit si kandidat për anëtar në KLP që në datë 26 tetor 2018, ndërsa përgjigjia nga Autoriteti i ka ardhur tre muaj më vonë, më 23 janar 2019.

Në raport theksohet gjithashtu se mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi Sheshin anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në datë 11 dhjetor 2018, mbi një muaj përpara marrjes së Informacionit nga Autoriteti i Dosjeve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!