Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese: PS tërhiqet nga ligji i mbetjeve

schedule13:39 - 20 Shtator, 2017

schedule 13:39 - 20 Shtator, 2017

Ditën e parë të punës për komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ngjalli debat mes antarëve të partive opozitare lidhur me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i kaluar nga ky komision një vit më parë. Edhe pse të dakordësuar që ky ligj nuk duhet të kalojë më, socialistë e demokratë u përplasën lidhur me mënyrën si ky ligj duhet rrëzuar.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese është konstituuar ditën e mërkurë duke shënuar edhe nisjen e punës për këtë legjislaturë të IX-të.
Kreu i këtij komisioni, Eduard Shalsi, në linjë me komentin e një dite më parë të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla të shprehur përmes rrejtit social facebook, tha se Partia Socialiste dhe ai vetë si nismëtar i ligjit, tërhiqen sa i përket ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Partia Demokratike, përmes Florian Mimës solli në vëmendje ekzistencën e dekretit të presidentit Bujar Nishani i cili kthente për rishqyrtim ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i pavotuar ende në komision e parlament. Bazuar në rregulloren e Kuvendit, kjo do të ishte e vetmja mënyrë për t’u tërhequr për socialistët.
“Lidhur me aktin që ju përmendët dhe mënyrën sesi do të tërhiqet kjo nisëm, meqënëse ende nuk jeni i qartë sesi do të tërhiqet akti, unë po ju them që ka vetëm një rrugë. Dekreti i Presidentit për pezullimin, për mosfutjen në fuqi të ligjit të mbetjeve, duhet validizuar, duhet sjellë në fuqi, dhe e vetmja rrugë për ta bërë këtë, është që ligji të bjerë, të rrëzohet me votim në Parlamentin e Republikës. Kjo nuk është shaka, ju jeni një nga iniciatorët e atij projektligji. Do të ishte nderin tuaj dhe të forcës politike që ju përfaqësoni ta sillni për votim dhe të gjithë deputetët e Parlamentit ta rrëzojnë me votën e tyre të lirë, të bindur se kështu i shërbejnë interesit publik”- tha Mima.
Një rrugë tjetër për të shteruar debatin lidhur me këtë ligj për demokratët do të ishte edhe referendumi popullor për të cilin Florian Mima ri-kujtoi kërkesën e deputetëve të partisë demokratike të depozituar një vit më parë, por ende të pashqyrtuar në Parlament, për zhvillimin e një referendumi i cili do të trajtonte pikërisht këtë temë, kalimin apo jo të ligjit të mbetjeve.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!