Me bllokimin e sistemit të drejtësisë, pronarët nuk kanë mundësi të ankohen në Gjykatë Kushtetuese kundër padrejtësive të ligjeve antikushtetuese. Këtë qëndrim i dhanë përfaqësuesit e Partisë Demokratike Komisionit të Venecias të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të bërë një analizë dhe për të dhënë një opinion mbi situatën e çështjeve të pronave në Shqipëri.
Kanë marrë përsipër t’i shpjegojnë Komisionit të Venecias në detaje çfarë ka ndodhur që nga viti 2013 e këtej me çështjen e pronave në Shqipëri.
Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi këmbëngulin se shkelja e të drejtave të pronarëve nga njëra anë, dhe hartimi i ligjeve që krijojnë norma të paprecedentë për vende të tjera të rajonit kanë një përgjegjes.
Tabaku: “Njohëm delegacionin e Komisionit të Venecias me problemin e pronave në Shqipëri, i cili është një nga kriteret për hapjen e negociatave. Çështja e pronave ka pasur përkeqësim gjatë qeverisjes së Edi Ramës me miratimin e ligjeve antikushtetuese që bien ndesh me të drejtat e pronarëve”.
Bylykbashi: “Gjithashtu patëm mundësinë që me ekspertët e Komisionit të Venecias të shpjegojmë edhe themelin e gjithë këtij mekanizmi djallëzor që ka futur Edi Rama në raport me të drejtën e pronarëve për të marrë përsëri pronën e tyre. Kemi vite tashmë që e dimë që qeveria nuk kthen më prona, nuk kompenson dhe ka vënë një mekanizëm me të cilën ka rishpronësuar përsëri pronarët”.
I gjithë ky proces që bllokoi kthimin e pronave dhe vë në pikëpyetje titujt ekzistues të pronave, sipas demokratëve, ka një qëllim të vetëm që nëpërmjet këtyre mekanizmave; të Koorporatës Shtetërore të Investimeve, ligjit për Investime Strategjike ta marrë këtë pronë dhe t’ia japë oligarkëve për të zhvilluar ata interesat e tyre të biznesit sikur kjo të jetë interes publikë.
Bylykbashi: “Interesi publik është respektimi i Kushtetutës dhe të drejtave që pronarët shqiptarë kanë dhe u bëmë të qartë që fikja dhe eleminimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimi tashmë i sistemit të drejtësisë për të vënë në vend të drejtat e pronarëve qoftë për sa i përket aspektit kushtetues apo të drejtave të tyre ligjore është i qëllimshëm në kuadër të këtij mekanizmi, që pronarët të mos kenë mundësi të ankohen në Gjykatë Kushtetuese dhe në gjykatë kundër padrejtësive të ligjit”.
Dy ish deputetët demokratë thanë se i bënë të qartë Komisionit të Venecias që kur Partia Demokratike të kthehet në pushtet këto ligje që shkojnë në dëm të pronarëve sipas tyre do të zhbëhen duke pretenduar se do të rikthejnë të drejtat e tyre duke përmirësuar të gjitha defektet që kanë çuar në zvarritjen e rëndë dhe duke eliminuar korrupsionin në kthimin e pronave. /ABC News Albania 24/7