“Komisioni i Rithemelimit”: Basha shpifi për kostot, me Kuvendin s’ka lidhje burri i deputetes së PS

schedule18:57 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 18:57 - 13 Dhjetor, 2021

“Komisioni i Rithemelimit të PD”, i ngritur në Kuvendin e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të kreut të PD Lulzim Basha i cili gjatë konferencës për shtyp tha se për këtë event është kontaktuar Kostika Gjylameti, bashkëshorti i deputetes së PS Blerina Gjylameti.

Këto akuza “Komisioni i Rithemelimit” i ka hedhur poshtë duke i quajtur shpifje. Shpifje në reagim quajnë edhe akuzat e Bashës mbi kostot e Kuvendit të 11 dhjetorit. Në njoftim thuhet se kostot e këtij organizimi janë modeste dhe se do të bëhen transparente për mediet ditët në vijim.

“Deputeti Basha ripërtypi sot publikisht shpifjet e mediave të Edi Rames për organizimin dhe kostot e Kuvendit te Partisë Demokratike. Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim. Po ashtu kukulla e Ramës shpifi publikisht se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të Partisë Socialiste. Hedhim poshtë me neveri këtë shpifje dhe sqarojmë opinionin se kjo është totalisht e pavërtetë! E mirëkuptojmë zemërimin e z.Basha përse nuk e organizuam Kuvendin me kompaninë e të afërmve të tij por rrjepja që ata i kanë bërë financave të PD këto 8 vjet e ka bërë këtë kompani të papërballueshme për mundësitë tona“, thuhet në njoftim. be.k/abcnews.al