Komisioni i reformave, mandat 10 mujor/ Përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita

schedule18:21 - 29 Maj, 2024

schedule 18:21 - 29 Maj, 2024

Komisioni i Posaçëm i propozuar nga Partia Socialiste do të përbëhet nga 11 pjesëtarë. Mazhoranca do të ketë në përfaqësinë e saj gjashtë anëtarë, ndërsa opozita do të përfaqësohet nga pesë persona. Në projekt vendimin, citohet se kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë për dhjetë muaj, por në rast nevoje Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të veprimtarisë.

Pjesë e grupit të punës për këtë strukturë do të jenë ekspertë shqiptarë por edhe të huaj, të cilët do të ndjekin dhe monitorojnë nga afër punimet për secilën nga fazat. Më konkretisht, ekspertët do të ndahen në grupe dhe do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat në të cilët ata janë kompetentë.

Ky komision i Posaçëm do të  organizojë seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike, duke pasur në fokus zbatimin e reformave, sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen.

Në projekt vendimin,  i cili pritet të miratohet në vazhdim po ashtu ftesë i është bërë edhe partive të tjera jo parlamentare, të cilat mund të ofrohen për të dhënë kontributin e tyre.

Kjo nismë do t’i shërbejë zbatimit të reformave dhe përmbushjes së kushteve të ndërkombëtarëve për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!