Komisioni i Posacëm Antikorrupsion/ Pritet shtyrja e votimit në Kuvend, opozita nuk do marrë pjesë

schedule10:02 - 30 Maj, 2024

schedule 10:02 - 30 Maj, 2024

Kuvendi ka përfshirë sot në rend dite ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Ndonëse ende nuk ka konsensus mes palëve, pasi opozita ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në këtë komision mbetet për t’u parë nëse ngritja e këtij Komisioni do të kryhet sot në seancë plenare.

Komisioni i Posaçëm i propozuar nga Partia Socialiste do të përbëhet nga 11 pjesëtarë. Mazhoranca do të ketë në përfaqësinë e saj gjashtë anëtarë, ndërsa opozita do të përfaqësohet nga pesë persona. Në projekt vendimin, citohet se kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë për dhjetë muaj, por në rast nevoje Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të veprimtarisë.

Pjesë e grupit të punës për këtë strukturë do të jenë ekspertë shqiptarë por edhe të huaj, të cilët do të ndjekin dhe monitorojnë nga afër punimet për secilën nga fazat. Më konkretisht, ekspertët do të ndahen në grupe dhe do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat në të cilët ata janë kompetentë.

Ky komision i Posaçëm do të organizojë seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike, duke pasur në fokus zbatimin e reformave, sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen.

Në projekt vendimin, i cili pritet të miratohet në vazhdim po ashtu ftesë i është bërë edhe partive të tjera jo parlamentare, të cilat mund të ofrohen për të dhënë kontributin e tyre. Kjo nismë do t’i shërbejë zbatimit të reformave dhe përmbushjes së kushteve të ndërkombëtarëve për procesin e integrimit në Bashkimin Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!