Komisioni i Ekonomisë, opozita kundërshton propozimin e qeverisë

schedule18:26 - 17 Janar, 2018

schedule 18:26 - 17 Janar, 2018

Opozita kundërshton strukturën e propozuar nga qeveria për funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Ministrja e Sipërmarrjes, Sonila Qato, raportoi ne Komisionin e Ekonomisë për mënyrën e riorganizimit të këtij Këshilli.

Komisioni i ekonomisë diskutoi sot projektligjin për sipërmarrjen. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjese, Sonila Qato, paraqiti tezat e diskutimit që do të ofrohen në tryezën e Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Sonila Qato: “Objekti i ligjit i përcaktuar tashmë me ligj është i mirëpërcaktuar se çfarë objektivi dhe çfarë tezash diskutimi do të ofrohen në tryezën e Këshillit Ekonomik Kombëtar, të cilat janë strategjitë dhe programet qeveritare të zhvillimit të ekonomisë. Përgatitjen e buxhetit të shtetit dhe paketat fiskale. Politikat, privatizimet dhe prokurorimet publike, politikat e nxitjes së investimeve, politikat e zhvillimit të tregtisë dhe të biznesit, politikat e konkurrencës, mbikëqyrjes së tregut mbrojtjes së konsumatorëve. Ka qenë një kërkesë e grupeve të interesit, që ky Këshill Kombëtar jovetëm të funksionojë dhe të jetë në një funksionim normal të tij dhe të rritet transparenca dhe roli që duhet të ketë, por edhe të kalojë në funksion apo si ministër përgjegjës, të zyra e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes”.

Ndërkohë, opozita votoi kundër duke kundërshtuar nismën e qeverisë për krijimin e Këshillit Sipërmarrës për Bizneset. Përveçse kundërshtoi projektligjin , kreu i deputetëve demokratë, Edmond Spaho, akuzoi qeverinë për largimin e investitorëve të huaj dhe për rënien e investimeve në vend.

Edmond Spaho: “Unë kam qenë skeptik edhe për krijimin e funksionit të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Kur është paraqitur programi qeveritar, e kam kundërshtuar. Është një strukturë, sipas mendimit tim, tërësisht e panevojshme sa kohë ka ministri Financash dhe Ekonomie”.

Deputeti i PS, Ervin Bushati, mbështeti projektligjin duke ftuar komisionin të votojë pro.

Ervin Bushati: “Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi dhe funksionimi i sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar për të përmbushur qëllimet dhe objektivat e Këshillit Ekonomik Kombëtar si dhe mbrojtjen e sipërmarrjes në funksion të misionit dhe fushave të përgjegjësisë shtetërore të minitrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Në projektligjin e paraqitur synohet që sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar të vihet në varësi edhe në funksion të fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes konkretisht, nenet 1 dhe 3 synojnë që: pavarësisht organizmit të ministrive të mos përcaktohet në ligj ministria përgjegjëse, pork y përcaktim të bëhet në vendim të Këshillit të Ministrave në mënyrë që të mos jetë i nevojshëm ndryshimi ligjor i mëvonshëm për të ndryshuar ministrinë përgjegjëse. Për arsyet e mësipërme ftoj komisionin të votojnë pro këtë projektligj”.

Në projektligjin e paraqitur nga qeveria synohet që sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar të vihet në varësi dhe në funksion të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!